Së paku 69 emigrantë të vdekur nga përmbytja e barkës afër Marokut, thotë Mali
Të paktën 69 njerëz vdiqën, përfshirë 25 shtetas të Malit, pasi një barkë e nisur nga Afrika Perëndimore drejt Spanjës u përmbys afër Marokut më 19 dhjetor, thanë autoritetet në Mali.
Në barkën e improvizuar ndodheshin rreth 80 persona në kohën e përmbytjes. Vetëm 11 njerëz mbijetuan, thuhet në një deklarate të autoriteteve të Malit të enjten, pas grumbullimit të informacioneve për rindërtimin e incidentit, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Një njësit i krizave është themeluar për ta vëzhguar situatën dhe për të raportuar përditësime të mëtejme, thuhet në deklaratën e autoriteteve.
Rruga e migrimit nëpër Atlantik, nga bregdeti i Afrikës Perëndimore drejt Ishujve Kanari, që në mënyrë tipike shfrytëzohet nga emigrantët afrikanë që mundohen të arrijnë në Spanjë, ka shënuar shtim të qarkullimit këtë vit.
Vitet e konfliktit në rajonin e Sahelit, ku përfshihet edhe Mali, papunësia dhe ndikimi i ndryshimeve klimatike ndaj komuniteteve bujqësore janë në mesin e arsyeve pse njerëzit po mundohen që të arrijnë në territorin e shtetit evropian.
Sidoqoftë, kjo rrugë, që kalon afër brigjeve të Mauritanisë e të Marokut e deri në Spanjë, është ndër më vdekjeprurëset në botë.
Gati pesë mijë njerëz vdiqën në det në pesë muajt e parë të këtij viti në përpjekje për të arritur në arkipelagun spanjoll, tha në qershor grupi për të drejtat e emigrantëve, “Walking Borders”./Nacionale