Së paku 30 të vrarë nga Izraeli në Gaza që nga njoftimi i armëpushimit, thotë zyrtari palestinez
Të paktën 30 njerëz janë vrarë në Gaza që nga dita e djeshme, kur Izraeli dhe Hamasi u pajtuan për armëpushim, tha një zyrtar shëndetësor palestinez, disa orë pasi banorët raportuan për shtëllunga tymi e shpërthime në enklavë.
Një sulm izraelit ndaj shtëpisë së familjes Ghaboun të enjten vonë në lagjen Al-Sabra la të ngujuar nën rrënoja më shumë se 40 palestinezë, tha Mbrojtja Civile e Gazës, raporton televizioni CNN.
Të paktën gjashtë njerëz u vranë nga ky sulm, i tha televizionit amerikan Dr. Mohammed Abu Salmiya, drejtor i spitalit “Al-Shifa”. Sipas tij, gjithsej 30 palestinezë janë vrarë nga mbrëmja e së mërkurës.
Ushtria izraelite tha se “goditi një celulë terroriste të Hamasit” në pjesën veriore të Gazës që “po operonte në afërsi të trupave izraelite” dhe “paraqiste rrëzik të menjëhershëm”. Televizioni CNN nuk mund ta vërtetojë deklaratën e ushtrisë.
Mbrojtja Civile publikoi pamje të pasojave të sulmit, ku ekipet emergjente po kërkonin nëpër rrënoja për të nxjerrë burra, gra e fëmijë.
Në një video, një punëtor i shpëtimit nxjerr ngadalë një djalë të vogël nga shtëpia e shkatërruar. Trupi i fëmijës është i mbuluar me një shtresë të trashë pluhuri dhe me shenja gjaku. Ai mund të dëgjohet duke bërtitur./Nacionale