Së paku 21 të vrarë nga sulmet e reja izraelite në Gaza, thonë autoritetet shëndetësore - NACIONALE

Së paku 21 të vrarë nga sulmet e reja izraelite në Gaza, thonë autoritetet shëndetësore

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Nga sulmet izraelite në Gaza u vranë të paktën 21 njerëz të martën vonë dhe herët të mërkurën. Më shumë se gjysma e tyre ishin gra dhe fëmijë, thanë autoritetet shëndetësore.

Një sulm izraelit goditi një shtëpi të martën në anën veriperëndimore të Qytetit Gaza, duke vrarë të paktën 12 njerëz, sipas spitalit “Shifa”, i cili i pranoi trupat e viktimave. Në mesin e të vdekurve ishin gjashtë fëmijë dhe dy gra, sipas listës së viktimave të Ministrisë së Shëndetësisë.

Një sulm tjetër goditi një banesë në zonën Tal al-Hawa në pjesën veriore të Gazës, duke lënë të vrarë të paktën gjashtë persona. Në mesin e të vdekurve ishin tre fëmijë e dy gra, përfshirë një shtatzënë. Tetë të tjerë u plagosën, tha Ministria e Shëndetësisë.

Nga një sulm i tretë u godit një tendë në lagjen Naser të Qytetit Gaza të martën vonë, duke lënë të vrarë tre fëmijë, tha spitali “Shifa”.

Më shumë se 1.000 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite nga maji përderisa po mundoheshin të merrnin ndihma në Rripin e Gazës, shumica afër pikave të shpërndarjes, të menaxhuara nga një kontraktor amerikan, tha të martën zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Më shumë se 100 grupe për të drejtat e njeriut dhe organizata bamirëse nënshkruan një letër të publikuar të mërkurën, në të cilën kërkuan më shumë ndihma në Gaza dhe paralajmëruan se kushtet e rënda po shkaktonin vdekje nga uria.

Ndërkohë, ushtria izraelite tha në një deklaratë të publikuar të mërkurën se forcat e saj ishin duke operuar në Qytetin Gaza si dhe në pjesën veriore të enklavës.

Pa dhënë hollësi, ushtria tha se në Jabaliya, zonë e goditur rëndë nga disa valë luftimesh, përmes një sulmi ajror vrau “një numër” të militantëve të Hamasit.

Trupat goditën rreth 120 caqe në mbarë Gazën gjatë 24 orëve të fundit, përfshirë celula ushtarake, tunele e struktura të minuara, mes tjerash, tha ushtria izraelite.

Lajme të ngjashme