Së paku 20 të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza, shtohen përpjekjet për armëpushim - NACIONALE

Së paku 20 të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza, shtohen përpjekjet për armëpushim

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara, bashkë me ndërmjetësit arabë, u munduan të mërkurën që të përmbyllnin një marrëveshje mes Izraelit e Hamasit për t’i dhënë fund luftës 14-mujore në Rripin e Gazës, ku mjekët thanë se sulmet izraelite lanë të vrarë të paktën 20 palestinezë gjatë natës së kaluar.

Një zyrtar palestinez i afërt me bisedimet tha të mërkurën se ndërmjetësit i kanë ngushtuar dallimet për shumicën e klauzolave të marrëveshjes. Ai tha se Izraeli kishte vendosur kushte të cilat i ka kundërshtuar Hamasi, por nuk hyri në hollësi, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Të martën, burime të afërta me bisedimet në Kajro thanë se një marrëveshje mund të nënshkruhet ditëve të ardhshme për armëpushim dhe për lirimin e pengjeve që po mbahen në Gaza në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë që po mbahen nga Izraeli.

Mjekët thanë se një sulm ajror izraelit la të vrarë të paktën dhjetë njerëz në një shtëpi në qytezën veriore, Beit Lahiya, ndërsa gjashtë të tjerë u vranë nga sulme të tjera ajrore në Qytetin Gaza, në kampin e refugjatëve “Nuseirat” dhe në Rafah, afër kufirit me Egjiptin.

Në Beit Hanoun, në pjesën veriore të Rripit të Gazës, mjekët thanë se katër njerëz u vranë nga një sulm ajror ndaj një shtëpie. Nuk pati koment të menjëhershëm nga zëdhënësi i ushtrisë izraelite.

Forcat izraelite kanë operuar në qytezat Beit Hanoun dhe Beit Lahiya si dhe në kampin “Jabalia” që nga tetori. Ushtria thotë se qëllimi i fushatës është që të parandalohet rigrupimi i militantëve të Hamasit.

Sidoqoftë, palestinezët e akuzojnë Izraelin për kryerje të akteve të “spastrimit etnik” për ta shpopulluar skajin verior të enklavës për të krijuar një zonë neutrale. Izraeli e mohon këtë akuzë./Nacionale

Lajme të ngjashme