Së paku 20 njerëz, përfshirë fëmijë, vriten gjatë sulmit të një bande në Haiti - NACIONALE

Së paku 20 njerëz, përfshirë fëmijë, vriten gjatë sulmit të një bande në Haiti

1 muaj më parë

nga NACIONALE

Të paktën 20 persona, përfshirë disa fëmijë, janë vrarë gjatë sulmit që një bandë e armatosur e kreu në një qytezë të vogël të Haitit.

Përpos të vrarëve, 50 njerëz të tjerë u plagosën, përderisa anëtarë të bandës “Gran Grif” e sulmuan qytezën Pont-Sonde, që shtrihet në rajonin qendror Artibonite, rreth 70 kilometra në veriperëndim të kryeqytetit Port-au-Prince, raporton televizioni BBC.

Në video shfaqen grupe njerëzish duke ikur nga dhuna me motoçikleta dhe në këmbë. Një prokuror e përshkroi sulmin si “masakër”, sipas agjencisë “Associated Press”.

Bandat e armatosura e kanë marrë kontrollin e disa pjesëve të mëdha të Haitit. Një mision policor i mbështetur nga Kombet e Bashkuara, i udhëhequr nga oficerë nga Kenia, nisi në qershor një përpjekje për ta rikthyer kontrollin.

Numri i saktë i të vdekurve nga sulmi nuk është i qartë. Mediat lokale raportuan se mbi 50 njerëz ishin vrarë, ndërsa një grup haitian për të drejtat e njeriut raportoi për 20 ose më shumë viktima, shtoi agjencia AP.

Thuhet se “Gran Grif” është njëri nga bandat më të dhunshme të Haitit. Në janar të vitit 2023, anëtarë të këtij grupi ishin akuzuar për sulm ndaj një stacioni policor afër Port-Sondes, duke vrarë gjashtë oficerë. Banda gjithashtu akuzohet për mbylljen e një spitali që u shërbente mbi 700 mijë njerëzve.

Banda ka rreth 100 anëtarë dhe është akuzuar për krime si vrasja, përdhunimi, plaçkitja dhe rrëmbimi, sipas një raporti të OKB-së të cituar nga agjencia AP. Themeluesi dhe shefi i bandës janë nën sanksione të Shteteve të Bashkuara./Nacionale

Lajme të ngjashme