Së paku 14 të vdekur nga stuhia tropikale “Trami” në Filipine - NACIONALE

Së paku 14 të vdekur nga stuhia tropikale “Trami” në Filipine

1 vit më parë

nga NACIONALE

Të paktën 14 njerëz e kanë humbur jetën në Filipine, pasi stuhia tropikale “Trami” shkaktoi vërshime në disa fshatra, nxori lumenj nga shtrati e detyroi dhjetëra mijëra njerëz që të largoheshin nga shtëpitë e tyre, kur arriti në bregdetin lindor.

Presidenti Ferdinand Marcos Jr. të mërkurën i urdhëroi ekipet mergjente që të përgatiteshin për arritjen e stuhisë në territor tokësor në provincën verilindore, Isabela, gjatë natës ose të enjten herët në mëngjes, raporton agjencia “Reuters”.

“Kam frikë se më e keqja ende nuk ka ardhur. Le të përgatitemi të gjithë” – tha presidenti i shtetit të largët aziatik në një konferencë rreth situatës.

“Vëllimet e ujit janë të pashembullta. Ne duhet ta vëzhgojmë këtë për së afërmi” – shtoi ai.

Parashikuesi shtetëror i motit, “Pag-asa”, tha në buletinin e orës 17:00 se qendra e stuhisë “Tami” së fundi ishte vlerësuar se ndodhej 175 kilometra në verilindje të qytezës Echague të provincës Isabela.

Autoriteti paralajmëroi për erë të fuqishme, shi të dendur dhe stuhi në qytezat bregdetare që ndodhen në rrugën e tajfunit.

Stuhia me erë që ka arritur shpejtësi deri në 95 kilometra në orë I ka detyruar autoritetet në ishullin Luzon që ta pezullojnë punën qeveritare dhe t’i mbyllin shkollat.

Të martën, stuhia solli shi të dendur në rajonin qendror, Bicol, duke detyruar mijëra njerëz që të largoheshin nga shtëpitë e tyre, pasi uji i vërshimeve arriti deri në kulmet e shtëpive./Nacionale

Lajme të ngjashme