Së paku 135 trupa të gjymtuar palestinezësh u mbajtën në burgun famëkeq izraelit, thonë zyrtarët në Gaza - NACIONALE

Së paku 135 trupa të gjymtuar palestinezësh u mbajtën në burgun famëkeq izraelit, thonë zyrtarët në Gaza

8 muaj më parë

nga NACIONALE

Të paktën 135 trupa të gjymtuar të palestinezëve të kthyer nga Izraeli në Gaza ishin mbajtur në një qendër ndalimi famëkeqe për të cilën tashmë ka akuza për torturim dhe vdekje të paligjshme në ndalim, i kanë thënë gazetës “The Guardian” disa zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza.

Drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Dr. Munir al-Bursh, dhe një zëdhënës i spitalit “Nasser” në Khan Younis, ku po ekzaminohen trupat, thanë se një dokument i gjetur brenda secilës qese të trupave tregonte se të gjithë vinin nga baza ushtarake “Sde Teiman” në Shkretëtirën e Negevit, ku, sipas fotografive dhe rrëfimeve të publikuara nga gazeta “The Guardian” vitin e kaluar, të ndaluarit palestinez mbaheshin në kafaze, me sy e duar të lidhura, të lidhur për shtretër spitali dhe të detyruar që të vendosnin pelena.

“Dokumentet e bashkëngjitura brenda qeseve me trupa janë të shkruara në gjuhën hebraike dhe qartazi tregojnë se mbetjet ishin mbajtur në Sde Teiman. Ato gjitashtu tregojnë se në disa prej tyre atje është kryer testi i ADN-së” – tha Al-Bursh.

Vitin e kaluar, ushtria izraelite nisi një hetim që është duke vazhduar për vdekjen e 36 të burgosurve në bazën “Sde Teiman”.

Si pjesë e armëpushimit të ndërmjetësuar nga ShBA-ja në Gaza, Hamasi i ka dorëzuar trupat e disa pjre pengjeve që kanë vdekur gjatë luftës, ndërsa Izraeli deri më tani i ka dorëzuar trupat e 150 palestinezëve të vrarë pas sulmit të 7 tetorit të vitit 2023 në jug të vendit.

Disa prej fotografive të trupave të palestinezëve që i ka parë gazeta “The Guardian” – të cilat nuk mund të publikohen për shkak të pamjeve të rënda – i shfaqin disa prej viktimave me sy e duar të lidhura prapa shpinës. Në një fotografi shihet një litar i lidhur rreth qafës së një burri.

Mjekët në Khan Younis thanë se ekzaminimet zyrtare dhe vëzhgimet e terrenit “qartazi tregojnë se Izraeli kreu akte të vrasjes, ekzekutimeve jashtëgjyqësore dhe torturës sistematike kundër shumë prej palestinezëve”. Zyrtarët shëndetësorë thanë se në mesin e të gjeturave të dokumentuara përfshihen “shenja të qarta të zjarrit të drejtpërdrejtë nga afërsia dhe trupa të shtypur nën zinxhirët e tankeve”.

Trupi i 34-vjeçarit Ismail Shabat nga pjesa veriore e Gazës kishte shenja të varjes përreth qafës, këmbët e tij të shtypura nga zinxhirët e tankeve, gjë që lë të kuptohet se ai ishte vrarë ose plagosur në Gaza dhe trupi i tij më pas ishte dërguar në bazën “Sde Teiman”.

Vëllai i tij, Rami, e cili e identifikoi trupin e tij përmes një shenje nga një operacion në kokë që e kishte pasur më herët, tha: “Ajo që na lëndoi më së shumti ishte që duart e tij ishin të lidhura dhe trupi i mbuluar me shenja të qarta të torturës.”

“Ku është bota? Të gjitha pengjet tona u kthyen të torturuara dhe të thyera” – shtoi ai.

Paralajmërim: Pamje të ndjeshme

Lajme të ngjashme