Rutte i NATO-s bën thirrje që shpenzimet e mbrojtjes të rriten në mbi 2 për qind të GDP-së - NACIONALE

Rutte i NATO-s bën thirrje që shpenzimet e mbrojtjes të rriten në mbi 2 për qind të GDP-së

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u bëri thirrje vendeve të aleancës të hënën që t’i rrisin shpenzimet në fushën e mbrojtjes përtej cakut të përbashkët prej 2 për qind të prodhimit vendës bruto (GDP).

Ky prag i shpenzimeve ishte vendosur para një dekade dhe tani po konsiderohet shumë i ulët për shkak të sfidave të reja që po paraqiten nga Rusia, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Rutte foli në Lisbonë krahas kryeministrit portugez, Luis Montenegro, i cili vetëm e përsëriti zotimin e vendit të tij për ta arritur cakun prej 2 për qind deri më 2029.

Në vitin 2023, Portugalia shpenzoi 1,5 për qind të prodhimit vendës bruto në zotimet e saj në NATO.

“Ne e dimë se qëllimi prej 2 për qind, tani i vendosur para një dekade, nuk do të jetë i mjaftueshëm për t’i përmbushur sfidat e së nesërmes” – tha Rutte, ish-kryeministër i Holandës.

“Për ta mbajtur NATO-n të fortë, ne duhet, megjithatë, që të vazhdojmë të përshtatemi dhe, për ta garantuar sigurinë tonë në të ardhmen, ne gjithashtu duhet t’i shtojmë përpjekjet tona tani. Kjo gjithashtu nënkupton se ne duhet të shpenzojmë më shumë në mbrojtjen tonë” – shtoi ai.

Presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka bërë thirrje që vendet e NATO-s t’i rrisin shpenzimet në mbrojtje në 5 për qind të GDP-së, por një nivel i tillë shihet si vështirë për t’u arritur./Nacionale

Lajme të ngjashme