Rusia thotë se pozicioni i ShBA-së për Ukrainën jashtë NATO-s i shkakton kënaqësi
Kremlini tha të hënën se pozicioni i administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, për përjashtimin e anëtarësimit të Ukrainës në NATO i jep kënaqësi Moskës, por refuzoi që ta komentonte shpresën e kreut të Shtëpisë së Bardhë për arritjen e një marrëveshjeje këtë javë.
Emisari amerikan për luftën Rusi – Ukrainë, Keith Kellogg, tha të dielën se anëtarësimi i Ukrainës në NATO është “jashtë tavolinës”. Trumpi në mënyrë të përsëritur ka thënë se mbështetja e ShBA-së në të kaluarën për hyrjen e Ukrainës në aleancën veriatlantike ishte shkaktar i luftës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
“Ne kemi dëgjuar nga Uashingtoni në nivele të ndryshme se anëtarësimi i Ukrainës në NATO është i përjashtuar. Natyrisht, kjo është diçka që e shkakton kënaqësinë tonë dhe koincidon me pozicionin tonë” – tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Sipas tij, anëtarësimi i Ukrainës në aleancën ushtarake të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara “paraqet kërcënim ndaj interesave kombëtare të Federatës Ruse”. “Dhe, në të vërtetë, ky është njëri nga shkaktarët rrënjësorë të këtij konflikti” – shtoi zëdhënësi rus.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë në mënyrë të përsëritur se vendi i tij do të ishte i gatshëm për t’i dhënë fund luftës, nëse Ukraina do të hiqte dorë zyrtarisht nga ambicia e saj për anëtarësim në NATO dhe nëse do t’i tërhiqte trupat nga tërë territori i katër rajoneve ukrainase të cilat Rusia pretendon se i ka aneksuar dhe i kontrollon në pjesën e tyre më të madhe.
Të dielën, presidenti amerikan tha se shpreson që Rusia dhe Ukraina do të bëjnë një marrëveshje për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Kur u pyet për komentet e Trumpit, Peskovi tha: “Nuk dëshiroj që të bëj ndonjë koment tani për tani, sidomos në lidhje me kornizën kohore.”
“Presidenti Putin dhe pala ruse mbeten të hapur për kërkimin e një zgjidhjeje paqësore. Ne po vazhdojmë të punojmë me palën amerikane dhe, natyrisht, shpresojmë se kjo punë do të prodhojë rezultate” – shtoi zëdhënësi i Kremlinit.
Ai refuzoi që ta komentonte drejtpërdrejt raportin e mediumit “Bloomberg”, sipas të cilit Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për ta njohur kontrollin rus të Gadishullit të Krimesë si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë të paqes.
“Puna për gjetjen e një zgjidhjeje paqësore nuk mund të bëhet në publik dhe nuk duhet të bëhet në publik. Ajo duhet të bëhet në një mënyrë absolutisht diskrete” – tha Peskovi./Nacionale