Rusia thotë se ka kapur edhe dy fshatra në lindje të Ukrainës - NACIONALE

Rusia thotë se ka kapur edhe dy fshatra në lindje të Ukrainës

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha të premten se forcat e saj kanë marrë nën kontroll edhe dy fshatra në pjesën lindore të Ukrainës.

Sipas kësaj ministrie, bëhet fjalë për fshatin Muravka në rajonin e Donetskut dhe fshatin Novoivanivka në rajonin fqinj, Zaporizhia, raporton agjencia shtetërore ruse e lajmeve, TASS.

Agjencia e lajmeve “Reuters” nuk ka mundur ta vërtetojë në mënyrë të pavarur pretendimin për lëvizjet në fushën e betejës.

Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ruse, Gjeneral Valery Gerasimov, tha të mërkurën se forcat e tij janë duke avancuar praktikisht në të gjitha frontet.

“Trupat tona në zonën e operacionit special ushtarak [termi që e përdor Rusia për luftën në Ukrainë] janë duke avancuar praktikisht në të gjitha drejtimet” - citohet të ketë thënë Gerasimovi, sipas deklaratës së Ministrisë së Mbrojtjes.

Gerasimovi tha se forcat ruse janë duke bërë përparim edhe në kapjen e Kupianskut, qytet kryesisht i shkatërruar në rajonin verilindor ukrainas të Kharkivit, si dhe drejt Yampilit, më në lindje.

Në anën tjetër, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se trupat ukrainase janë duke kryer një kundërofensivë kundër forcave ruse në frontin lindor, ku Kievi ka rimarrë disa vendbanime, tha të enjten presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pasi e vizitoi rajonin e Donetskut.

"Në të vërtetë, forcat tona po e lënë pushtuesin pa mundësinë që të kryejë një operacion ofensive të shkallës së plotë, të cilin ata kanë qenë duke e planifikuar për kohë të gjatë dhe kanë qenë duke llogaritur në të" – tha Zelensky në një video-adresim.

Lajme të ngjashme