Zelensky thotë se ushtria ukrainase po kryen kundërofensivë në frontin lindor - NACIONALE

Zelensky thotë se ushtria ukrainase po kryen kundërofensivë në frontin lindor

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Trupat ukrainase janë duke kryer një kundërofensivë kundër forcave ruse në frontin lindor, ku Kievi ka rimarrë disa vendbanime, tha të enjten presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pasi e vizitoi rajonin e Donetskut.

“Në të vërtetë, forcat tona po e lënë pushtuesin pa mundësinë që të kryejë një operacion ofensive të shkallës së plotë, të cilin ata kanë qenë duke e planifikuar për kohë të gjatë dhe kanë qenë duke llogaritur në të” – tha Zelensky në një video-adresim, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Forcat ukrainase kanë rimarrë nën kontroll 160 kilometra katrorë që nga fillimi i këtij operacioni, tha Zelensky, duke shtuar se 170 kilometra katrorë dhe nëntë vendbanime të tjera “janë pastruar nga pushtuesit”.

Ai nuk saktësoi se kur ka nisur kundërofensiva, por tha se luftimet janë të ashpra në zonën e Dobropillia-s, ku u shënuan avancime të shpejta të forcave ruse në mesin e gushtit, si dhe rreth qytetit Pokrovsk.

Agjencia “Reuters” nuk mundi ta vërtetonte situatën në fushën e betejës.

Rajoni i Donetskut, i cili është i pushtuar pjesërisht nga Rusia, por të cilin Moska dëshiron ta aneksojë si të plotë para ndonjë marrëveshjeje të paqes, mbetet zona e luftimeve më të ashpra.

Të enjten, një sulm rus me bombë la të vrarë pesë civilë në Kostiantynivka, rreth 40 kilometra larg Dobropillia-s.

Forcat ruse i janë afruar në vetëm tetë kilometra qytetit që për një kohë të gjatë ka shërbyer si qendër kyçe e logjistikës për trupat ukrainase që janë në mbrojtje të një pjese të madhe të vijës së frontit./Nacionale

Lajme të ngjashme