Rusia thotë se e ka marrë nën kontroll të plotë qytezën Novohrodivka të Ukrainës
Rusia tha të dielën se forcat e saj e kishin marrë nën kontroll të plotë qytezën Novohrodivka, që shtrihet në lindje të Ukrainës, përderisa pushtuesit rusë po përparojnë drejt qytetit me rëndësi strategjike, Pokrovsk, dhe po synojnë që ta copëtojnë vijën ukrainase të mbrojtjes.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se forcat e saj e kishin marrë nën kontroll qytezën Novohrodivka, që shtrihet 12 kilometra larg Pokrovskut, qendër e rëndësishme hekurudhore dhe rrugore për forcat ukrainase në atë zonë. Para luftës, qyteza kishte 14 mijë banorë, raporton agjencia “Reuters”.
Yuri Podolyaka, bloger ushtarak pro rus me ndikim, publikoi harta që tregonin se forcat ruse ishin duke sulmuar prapa përtej qytezës Novohrodivka, në të paktën dy vende, më pak se shtatë kilometra larg Pokrovskut.
Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, përmes një raporti të lëshuar të dielën në mbrëmje, dha hollësi për luftimet në mbarë sektorin e Pokrovskut, përfshirë qytezën Novohrodivka.
Shtabi tha se ishin sprapsur 29 avancime ruse në tentativë, ndërsa shtatë përleshje po vazhdonin. “Trupat janë duke marrë masa për t’i mbajtur pozicionet e caktuara” – thuhet në raport.
Megjithatë, në një intervistë me një oficer ukrainas, të publikuar javën e kaluar nga Radioja “Evropa e Lirë”, thuhet se forcat ukrainase e kishin braktisur qytezën Novohrodivka me arsyetimin që pozicionet nuk ishin të favorshme për ta mbrojtur atë vendbanim.
Blogu i njohur ukrainas i luftës, “DeepState”, tha se forcat ruse e kishin kapur fshatin Nevelske, në pjesën juglindore.
Agjencia “Reuters” nuk qe në gjendje që menjëherë t’i vërtetonte raportimet për fushën e betejës të asnjërës palë për shkak të kufizimeve rreth raportimit në luftë.
Presidenti rus, Vladimir Putin, tha javën e kaluar se sulmi ukrainas me trupa në rajonin rus të Kurskut kishte dështuar që ta ngadalësonte përparimin e Rusisë në lindje të Ukrainës dhe e kishte dobësuar mbrojtjen e Kievit përgjatë vijës së frontit.
Megjithatë, komandanti i ushtrisë ukrainase tha të enjten se sulmi i forcave të tij në Kursk ishte duke funksionuar. Sipas tij, forcat ruse nuk kishin bërë përparim në avancimin e tyre drejt Pokrovskut në gjashtë ditët e mëparshme.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se qëllimi i operacionit në Kursk është që forcave ruse t’u parandalohet kalimi i kufirit në anën e kundërt. Rusia tani për tani ka nën kontroll rreth 80 për qind të Donabsit./Nacionale