Rusia thotë se aeroplanët F-16 mund të “akomodojnë” armë bërthamore, nëse dërgohen në Ukrainë
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, tha të hënën se aeroplanët luftarakë të tipit F-16, prodhim amerikan, mund të “akomodojnë” armë bërthamore dhe paralajmëroi se furnizimi i Ukrainës me ta do ta eskalojë më tej konfliktin.
“Duhet të kemi parasysh se njëri nga modifikimet e F-16 mund të akomodojë armë bërthamore”- tha kryediplomati rus gjatë një fjalimi të mbajtur në një bazë ushtarake në Dushanbe të Taxhikistanit, raporton agjencia “Reuters”.
“Nëse ata nuk e kuptojnë këtë, atëherë janë të pavlerë si strategë dhe planifikues ushtarakë”- shtoi ministri rus.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për një kohë të gjatë ka bërë thirrje që vendi i tij të furnizohet me aeroplanë luftarakë të tipit F-16, duke thënë se paraqitja e tyre me pilotë ukrainas do të ishte sinjal i sigurt nga bota se pushtimi rus do të përfundonte me humbje.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, u tha udhëheqësve të vendeve të Grupit G7 muajin e kaluar se Uashingtoni i përkrah programet e përbashkëta të aleatëve për trajnimin e pilotëve ukrainas për drejtimin e aeroplanëve F-16.
Megjithatë, këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan, ka thënë se ende nuk ka vendim përfundimtar të Uashingtonit për dërgimin e këtyre aeroplanëve në Ukrainë.
