Rusia sulmon “secilin distrikt” të Kievit, shkakton zjarre në mbarë kryeqytetin ukrainas - NACIONALE

Rusia sulmon “secilin distrikt” të Kievit, shkakton zjarre në mbarë kryeqytetin ukrainas

9 muaj më parë

nga NACIONALE

Rusia kreu një sulm masiv të kombinuar ndaj Kievit të premten herët, duke shkaktuar zjarre në shumë distrikte të kryeqytetit ukrainas, tha kryetari Vitali Klitschko. Të paktën 11 persona u lënduan, përderisa ekipet emergjente po reagonin pas shumë sulmeve, tha ai në një deklaratë.

Pesë persona u dërguan në spital, përfshirë një burrë që ndodhet në gjendje kritike si dhe një grua shtatzënë, pasi një varg shpërthimesh të fuqishme u dëgjuan në qytet dhe sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan, raporton gazeta “The Guardian”.

Zyrtarët thanë se sulmi ndaj kryeqytetit ishte duke vazhduar, duke u bërë thirrje banorëve që të qëndronin në strehimore derisa alarmi për sulme ajrore të çaktivizohej. Autoritetet në qytet paralajmëruan se mund të ketë ndërprerje të furnizimit me rrymë dhe ujë.

Në fotografi të publikuara në rrjete sociale u shfaqën zona të ndryshme të kapluara nga flaka dhe banorë duke u mbledhur rrugëve të mbushura me mbetje afër ndërtesave të banimit.

“Rusët po i godasin ndërtesat e banimit. Ka shumë ndërtesa banimi shumëkatëshe të dëmtuara, në pothuajse secilin distrikt” – tha Tymur Tkachenko, drejtor i administratës ushtarake të Kievit, duke shkruar në rrjetin social “Telegram”.

Ai shtoi se gjatë sulmeve janë përdorur edhe dronë, edhe raketa dhe se ekipet e emergjencës janë dislokuar në disa lagje.

Kryetari Klitschko tha se dëme ka pësuar edhe sistemi i ngrohjes së qytetit dhe se ky shërbim ka pengesa në një distrikt. Ai paralajmëroi për pengesa edhe në furnizimin me rrymë dhe ujë.

Në rajonin e Kievit, sulmet ruse e dëmtuan infrastrukturën kritike dhe shtëpitë private, duke lënduar të paktën një civil, tha guvernatori në detyrë i këtij rajoni, Mykola Kalashnyk./Nacionale

Lajme të ngjashme