Rusia po mundohen ta shmangë izolimin në G20, Kina dhe India po distancohen - NACIONALE

Rusia po mundohen ta shmangë izolimin në G20, Kina dhe India po distancohen

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Rusia është duke u përpjekur që ta parandalojë izolimin diplomatik në samitin e Grupit G20 në Bali, pasi aleatet tradicionale të saj – Kina dhe India – filluan që ta distanconin veten nga lufta në Ukrainë, për të cilën në një draft të komunikatës thuhet se i ka shkaktuar botës dëm të panumërueshëm ekonomik.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, dhe presidenti i Kinës, Xi Jinping, kanë shprehur shqetësim për luftën pa u tërhequr nga mbrojtja e mëparshme e Moskës, shkruan gazeta “The Guardian”.

Zyrtarët amerikanë ende po bëjnë përpjekje që komunikata përfundimtare t’i hedhë më shumë faj Rusisë. Në draft përfshihen shprehje si “shumica e anëtarëve e dënuan fuqishëm luftën në Ukrainë” dhe theksohet që “ajo po shkakton vuajtje të pamasë njerëzore dhe po i përkeqëson dobësitë ekzistuese në ekonominë globale”.

Vendi pritës, Indonezia, është munduar që t’i mbajë në nivel minimal referencat ndaj luftës, duke argumentuar se samiti i Grupit G20 nuk është forum i sigurisë dhe se përsëritja e pozicioneve të njohura mirë do ta parandalojë përparimin për çështje si borxhi global dhe rimëkëmbja pas pandemisë.

Samiti që po mbahet në ishullin indonezian, Bali, e shënon herën e parë që udhëheqësit e vendeve të Grupit G20 takohen që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës, të cilin Moska e quan “operacion special ushtarak”. Lufta dhe shqetësimi për inflacionin global, ushqimin e sigurinë energjetike e kanë lëshuar hijen e tyre mbi këtë takim.

Në fjalimin e tij, presidenti i Kinës, Xi Jinping, paralajmëroi kundër shndërrimit të ushqimit dhe të energjisë në armë, duke shtuar se ai e kundërshton luftën bërthamore në të gjitha rrethanat, koment që hedh hije mbi kërcënimet e përsëritura të Rusisë për të përdorur armë bërthamore taktike në Ukrainë.

“Ne duhet t’i kundërshtojmë në mënyrë të vendosur politizimin, instrumentalizimin dhe armëzimin e problemeve të ushqimit dhe të energjisë”- tha presidenti kinez.

Ndërkohë kryeministri indian, Narendra Modi, tha se është e nevojshme që të pranohet se Kombet e Bashkuara kanë dështuar si institucion shumëpalësh, duke i vënë më shumë presion Grupit G20 për të gjetur zgjidhje. Ai tha se është koha për një armëpushim dhe që diplomacia të dalë në pah.

Në një video-mesazh të cilin kryediplomati rus, Sergei Lavrov, u përkujdes që të mos e shikonte në sallën e takimit duke qëndruar në hotel, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u përpoq që ta paraqiste veten si person që është i gatshëm për të arritur një marrëveshje me Rusinë, por vetëm sipas kushteve që e mbrojnë sovranitetin ukrainas.

Rusia dhe Ukraina përbëjnë rreth 30 për qind të eksporteve botërore të grurit dhe elbit dhe më shumë se gjysmën e eksportit të vajit të lulediellit. Pushtimi rus kishte bllokuar 20 milionë tonë drithëra në portet ukrainase derisa ishte arritur marrëveshja në korrik. Rusia thotë se marrëveshja për eksportin e drithërave është zbatuar vetëm pjesërisht.

Lajme të ngjashme