Britaniku Sunak thotë në G20 se Putini është dashur të jetë aty për t’u ballafaquar me botën
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Rishi Sunak, ka thënë në samitin e Grupit G20 se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, do të duhej të ishte i përgatitur për t’u ballafaquar me udhëheqësit botërorë në këtë samit, pasi, sipas tij, largimi i Rusisë nga Ukraina do ta bënte “dallimin e vetëm më të madh” në çështjet botërore.
Në seancën hapëse të samitit, në të cilën po merr pjesë kryediplomati rus, Sergei Lavrov, kryeministri britanik e shfrytëzoi fjalimin e tij për t’i dënuar pushtimin e Ukrainës dhe vënien në shënjestër të civilëve. Ai i paralajmëroi udhëheqësit botërorë për rrezikun që kjo luftë paraqet ndaj rendit ndërkombëtar, shkruan gazeta “The Guardian”, përcjell Nacionale.
“Një njeri e ka fuqinë për ta ndryshuar tërë këtë. Është e dukshme që Putini nuk është ndier i gatshëm për të na u bashkuar neve këtu. Ndoshta nëse do ta bënte, do të mund të punonim për zgjidhjen e gjërave, sepse dallimi i vetëm më i madh që ndokush do ta bënte, është që Rusia të dalë nga Ukraina dhe t’i japë fund kësaj lufte barbare”- tha shefi i qeverisë britanike.
Me një vërejtje të tërthortë për të gjitha shtetet që kanë qëndruar neutrale ndaj pushtimit rus, përfshirë Kinën e Indinë, Sunak-u tha se të gjitha vendet janë në rrezik më të madh për shkak të precedentit që është vendosur.
“Pushtimi i paligjshëm i Rusisë ka ndërlikime të thella për të gjithë ne, sepse ai i ka minuar parimet themelore të sovranitetit dhe integritetit territorial. Ne të gjithë varemi nga këto parime. Ato janë themelet e rendit ndërkombëtar. Ato duhet të mbahen”- shtoi kryeministri britanik.
“Është shumë e thjeshtë – shtetet nuk duhet t’i pushtojnë fqinjët e tyre, ato nuk duhet t’i sulmojnë infrastrukturën civile dhe popullsinë civile dhe nuk duhet të kërcënojnë me eskalim bërthamor. Sigurisht se këto janë gjëra për të cilat ne të gjithë mund të pajtohemi”- tha ai.
Kryeministri britanik e shfrytëzoi fjalën e tij edhe për të bërë thirrje që t’i jepet fund krizës së drithërave. “Përdorimi i energjisë dhe i ushqimit si armë është tërësisht i papranueshëm. Dy të tretat e drithërave të Ukrainës shkojnë në vendet në zhvillim. Prapëseprapë Rusia ka shkatërruar dyqane të drithit dhe ka bllokuar dërgesa”- shtoi kryeministri Sunak.
Ndërkohë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë fjalimit të tij drejtuar udhëheqësve botërorë në samit, Grupit G20 iu referua si G19, duke lënë të kuptohet se e përjashton Rusinë. Ai e krahasoi fitoren e forcave ukrainase në Kherson me një pikë kthese në Luftën e Dytë Botërore, ajo që njihet si “Dita D”.

