Rusia ia pakëson edhe më shumë furnizimin me gaz Evropës
Rusia e furnizoi Evropën edhe me më pak gaz të mërkurën, duke ia vështirësuar Bashkimit Evropian gjetjen e furnizimit zëvendësues para sezonit dimëror të ngrohjes.
Pakësimi i furnizimit e ka zvogëluar kapacitetin e gazsjellësit “Rrjedha Veriore 2” – rrugë kryesore e furnizimit të Evropës me gaz rus – në vetëm një të pestën e kapacitetit të përgjithshëm, shkruan agjencia "Reuters".
Të martën, shtetet e BE-së miratuan një plan të dobësuar emergjent për uljen e kërkesës për gaz pas arritjes së kompromisit për t’i kufizuar pakësimet për disa shtete, duke shpresuar se konsumi më i ulët do ta lehtësojë ndikimin në rast se Rusia e ndal tërë furnizimin.
Plani e vë në pah frikën se shtetet nuk do të mund t’i plotësojnë qëllimet për zëvendësimin e mungesës dhe ngrohjen e qytetarëve gjatë muajve të dimrit dhe se rritja e brishtë ekonomike e Evropës mund të marrë një goditje tjetër, nëse do të nevojitet kufizimi i furnizimit me gaz.
Analistët e Bankës Mbretërore të Kanadasë thanë se ky plan mund ta ndihmojë Evropën që ta kalojë dimrin, nëse furnizimi nga Rusia mbetet mes 20 deri 50 për qind të kapacitetit.
Përderisa Moska i ka fajësuar problemet e ndryshme teknike për pakësimin e furnizimit, Brukseli e ka akuzuar Rusinë se po e përdor energjinë si armë për t’i bërë shantazh bllokut dhe për t’u hakmarrë ndaj sanksioneve perëndimore për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se kompania ruse, “Gazprom”, është duke e furnizuar Evropën me aq shumë gaz sa është e mundshme, duke shtuar se problemet teknike me pajisjet, të shkaktuara nga sanksionet po e pamundësojnë rritjen e eksportit të gazit.
Politikanët evropianë vazhdimisht kanë paralajmëruar se Rusia mund ta ndalë plotësisht furnizimin me gaz këtë dimër, veprim që Gjermaninë do ta fuste në recesion dhe do t’i rriste edhe më shumë çmimet për konsumatorët.
Çmimi me shumicë i gazit në Holandë për gusht, që shërben si bursë evropiane e çmimeve, u rrit për 9 për qind dhe shkoi në 205 euro për megavat/orë të mërkurën, rreth 412 për qind më shtrenjtë se një vit më parë.
Ministri i Financave i Gjermanisë, Christina Lindner, tha se është i hapur për përdorimin e energjisë bërthamore për ta shmangur mungesën e energjisë. Gjermania ka thënë se mund ta zgjasë kohën e përdorimit të tri centraleve bërthamore nga të cilat siguron 6 për qind të energjisë./Nacionale