Rusia i vazhdon sulmet ndaj Ukrainës, tre të vrarë në Kiev
Të paktën tre persona u vranë në Kiev të shtunën herët, pasi Rusia e kreu vargun më të ri të sulmeve ajrore gjatë natës në Ukrainë, thanë zyrtarët ukrainas.
Ministri i Brendshëm i Ukrainës, Ihor Klumenko, tha se caqe të raketave ishin të paktën pesë rajone të vendit. Tre persona u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën, pasi një ndërtesë shumëkatëshe në kryeqytet u godit, shtoi ai.
“Ky është stili i terroristëve. Stili i Rusisë”- shkroi ai në rrjetin “Telegram”, raporton agjencia “Reuters”.
Ushtria ukrainase tha se përmes sistemeve të mbrojtjes ajrore janë shkatërruar 41 nga 51 raketat me vetëdrejtim si dhe dy dronë të hedhur nga Rusia gjatë sulmeve.
Serhiy Popko, drejtor i administratës ushtarake të Kievit, tha se dëmi në ndërtesën shumëkatëshe ishte shkaktuar nga copat e një rakete të rrëzuar. Ai shtoi se mbi 20 raketa ishin rrëzuar në përreth qytetit.
Punëtorët e shërbimeve emergjente po kërkonin të shtunën në mëngjes nënë rrënoja, ku një vrimë e madhe shihej anash ndërtesës. Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, tha se nën rrënoja mund të ketë njerëz të tjerë.
Zyrtarët në rajonin juglindor të Dnipropetrovskit thanë se tetë persona, përfshirë dy fëmijë, janë plagosur dhe disa ndërtesa janë shkatërruar nga sulmet atje.
Guvernatori Serhiu Lysak tha se nëntë raketa dhe tre dronë ishin shkatërruar nga sistemet e mbrojtjes ajrore, por se ndërtesat e banimit në kryeqytetin rajonal, Dnipro, dhe një objekt i paspecifikuar infrastrukturor ishin goditur.