Rusia e përdor në Ukrainë raketën 9M729 që e kishte nxitur Trumpin ta tërhiqte ShBA-në nga traktati bërthamor
Rusia në muajt e fundit e ka sulmuar Ukrainën me një raketë me drejtim, zhvillimi sekret i së cilës e kishte nxitur presidentin amerikan, Donald Trump, që ta tërhiqte vendin e tij nga një pakt për kontrollimin e armëve bërthamore me Moskën gjatë mandatit të parë në krye të Shtëpisë së Bardhë, sipas ministrit të Jashtëm të Ukrainës.
Komentet e ministrit Andrii Sybiha janë konfirmimi i parë se Rusia e ka përdorur në luftime raketën 9M729 – në Ukrainë ose në ndonjë vend tjetër, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Rusia e ka hedhur këtë raketë në drejtim të Ukrainës 23 herë nga gushti, i tha agjencisë “Reuters” një zyrtar tjetër ukrainas. Burimi shtoi se Ukraina gjithashtu ka regjistruar dy hedhje të raketës 9M729 nga Rusia që në vitin 2022.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese me shkrim për të dhënë koment rreth çështjes.
Një raketë fluturoi 1.200 kilometra, sipas një burimi
Zhvillimi i raketës 9M729 i kishte nxitur Shtetet e Bashkuara që të tërhiqeshin nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme (INF) në vitin 2019. Uashingtoni kishte thënë se kjo raketë përbënte shkelje të traktatit dhe mund të fluturonte shumë më larg se kufiri i saj prej 500 kilometrash, edhe pse Rusia e mohonte këtë.
Kjo raketë, e cila mund të bartë kokë luftarake konvencionale ose bërthamore, ka rreze veprimi prej 2.500 kilometrash, sipas producentit të uebfaqes “Missile Threat” në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.
Një burim ushtarak tha se një raketë 9M729, e hedhur nga Rusia më 5 tetor, fluturoi për më shumë se 1.200 kilometra deri te caku i saj në Ukrainë, transmeton gazeta
Nacionale".

“Përdorimi i raketës 9M729 nga Rusia kundër Ukrainës në muajt e kaluar, armë e ndaluar sipas INF-së, e dëshmon mungesën e respektit të Putinit ndaj Shteteve të Bashkuara dhe përpjekjeve të presidentit Trump për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës” – tha kryediplomati ukrainas.
Ukraina ka kërkuar nga Shtetet e Bashkuara që të furnizohet me raketa me rreze të gjatë “Tomahaëk”, të cilat nuk ishin të ndaluara me traktatin INF, sepse në atë kohë hidheshin vetëm nga deti. Rusia thotë se një veprim i tillë do të ishte përshkallëzim i rrezikshëm.
Analistët ushtarakë perëndimorë thonë se përdorimi i raketës 9M729 e zgjeron arsenalin rus të armëve me rreze të gjatë për ta sulmuar Ukrainën dhe i shkon për shtati modelit të dërgimit të sinjaleve kërcënuese nga Moska për Evropën në kohën kur Trumpi po synon një zgjidhe për paqe.
Javën e kaluar, Rusia e testoi raketën me drejtim që funksionon me energji bërthamore, “Burevestnik” ndërsa të mërkurën tha se kishte testuar një bombë nënujore me energji bërthamore të quajtur “Poseidon”.