Rusia dëshiron të shkatërrojë jetën normale të evropianëve, thotë Zelensky - NACIONALE

Rusia dëshiron të shkatërrojë jetën normale të evropianëve, thotë Zelensky

1 vit më parë

nga Miranda Shala

Presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky ka thënë se Rusia do të shkatërrojë jetën normale të çdo qytetari evropian.

“Atje ku ende nuk mund të sulmojë me raketa, po përpiqet të sulmojë me varfëri dhe kaos politik”, është shprehur Zelensky.

Fjalimi i tij erdhi disa orë pasi Rusia tha se tubacioni kryesor i saj i gazit në Evropë nuk do të rihapet siç ishte planifikuar.

Firma shtetërore ruse e energjisë Gazprom njoftoi të shtunën se gazsjellësi Nord Stream 1 mund të mbyllet për një kohë të pacaktuar.

Tubacioni, i cili shkon në Gjermani, ishte mbyllur për tre ditë për atë që Gazprom e përshkroi si punë mirëmbajtjeje dhe tha se do të rihapte.

Kujtojmë se, Evropa akuzon Rusinë se po përdor furnizimet e saj me gaz për të shantazhuar Evropën në mes të konfliktit të Ukrainës, gjë që Moska e mohon.

Por, që kur Rusia pushtoi Ukrainën më 24 shkurt, çmimet e energjisë janë rritur dhe furnizimet e pakta mund të rrisin kostot edhe më tej.

Kjo gjë ka sjellë një frikë në rritje se familjet në BE nuk do të jenë në gjendje të përballojnë koston e ngrohjes këtë dimër, me qeveritë në të gjithë kontinentin që janë duke menduar për marrje të masave në mënyrë që të lehtësohet kriza.

Gjermania - një nga vendet më të prekura nga ndërprerja e furnizimit rus të shtunën njoftoi një paketë ndihme prej 65 miliardë eurosh. Ndërsa, kancelari i vendit Olaf Scholtz tha se Rusia nuk ishte më një partner i besueshëm i energjisë.

E gjithë Evropa po përpiqet të heqë dorë nga energjia ruse në një përpjekje për të zvogëluar aftësinë e Moskës për të financuar luftën.

Moska mohon përdorimin e furnizimeve me energji si një armë ekonomike kundër vendeve perëndimore që mbështesin Ukrainën, por ajo ka fajësuar sanksionet për pezullimin e mirëmbajtjes rutinë të Nord Stream 1, gjë që BE e konsideron si pretekst.

Njoftimi i Gazprom erdhi menjëherë pasi vendet e G7 ranë dakord për të kufizuar çmimin e naftës ruse në mbështetje të Ukrainës.

G7 përbëhet nga MB, SHBA, Kanada, Francë, Gjermani, Itali dhe Japoni. E futja e një kufiri çmimi do të thotë se vendet që nënshkruajnë politikën do të lejohen të blejnë vetëm naftë dhe produkte nafte ruse të transportuara përmes detit që shiten me ose nën limitin e çmimit.

Megjithatë, Rusia thotë se nuk do të eksportojë naftë në vendet pjesëmarrese në këtë marrëveshje.

Në fjalimin e tij, presidenti Zelensky tha se: "Këtë dimër, Rusia po përgatitet për një sulm vendimtar energjetik ndaj të gjithë evropianëve".

Ai shtoi se vetëm uniteti midis vendeve evropiane do të ofronte mbrojtje.

Lajme të ngjashme