Rusia dënon me burgim të gjatë 12 pjesëtarë të Brigadës “Azov” që e mbrojtën Mariupolin
Një gjykatë ushtarake ruse të mërkurën u shqiptoi dënime me burgim të gjatë 12 anëtarëve të Brigadës së Azovit, e cila e kishte udhëhequr mbrojtjen e qytetit ukrainas Mariupol në muajt e hershëm të luftës dhe e cila cilësohet “organizatë terroriste” nga Rusia.
Të pandehurit, të akuzuar për “aktivitet terrorist” dhe “marrje ose mbajtje të pushtetit me dhunë”, u dënuam me nga 13 deri në 23 vjet burgim, sipas mediat shtetërore ruse, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Mediumi i pavarur “Mediazona” tha se 11 persona të tjerë, të cilët Rusia tashmë i ka kthyer në Ukrainë gjatë shkëmbimit të të burgosurve, gjithashtu u dënuan në mungesë. Në këtë grup ishin nëntë gra, që kishin punuar si kuzhiniere të ushtrisë.
Raportohet se 12 anëtarët e Brigadës së Azovit, të cilët u paraqitën në gjykatë me koka të rruara, do t’i apelojnë vendimet dhe se disa prej tyre kishin mohuar se kishin bërë shkelje ose kishin thënë se rrëfimet që i kishin dhënë ishin marrë nën detyrim, diçka që agjencia “Reuters” nuk ka mundur ta konfirmojë.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga Ukraina në lidhje me dënimin e këtyre personave.
Batalioni i Azovit është i ndaluar në Rusi dhe ka qenë në fokus të veçantë të zemërimit të rusëve, shpesh i karakterizuar nga Moska si grup fanatik neo-nazist që i urren rusët.
Ukraina e kundërshton cilësimin rus të Azovit si organizatë terroriste. Regjimenti ishte themeluar nga nacionalisti i vijës së ashpër, Andriy Biletskiy, por më pas ishte shkëputur nga politika.
Nga viti 2014, Batalioni i Azovit ka qenë pjesë e Gardës Kombëtare të Ukrainës dhe Kievi thotë se ky grup është reformuar, duke u distancuar nga prejardhja nacionaliste radikale, dhe se tani është grup jopolitik.
Për shumë ukrainas, luftëtarët e Azovit janë heronj që e simbolizojnë shpirtin e rezistencës kombëtare, duke duruar në rrënojat e Mariupolit, teksa Rusia e kishte rrethuar qytetin bregdetar nga shkurti deri në majin e vitit 2022./Nacionale