Rusët e publikojnë bisedën mashtruese me Cameronin, britaniku foli për tema të ndjeshme - NACIONALE

Rusët e publikojnë bisedën mashtruese me Cameronin, britaniku foli për tema të ndjeshme

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Disa mashtrues rusë, të cilët shpesh vënë në shënjestër figura për të cilat është e interesuar Rusia, të mërkurën publikuan pamje të një video-lidhjeje me sekretarin e Jashtëm të Britanisë së Madhe, David Cameron, pasi e kishin mashtruar që të besonte se po fliste me një ish-president ukrainas.

Zyra e Jashtme në Londër tha më herët këtë muaj se Cameroni kishte zhvilluar një video-lidhje me dikë që pretendonte se ishte ish-presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, para se të kuptonte se ishte viktimë e një mashtrimi, raporton agjencia “Reuters”.

Telefonata me video, që duket se kishte zgjatur rreth 15 minuta dhe në të cilën Cameroni shfaqet duke folur në telefon i veshur me rroba të rëndomta në mjedis të hapur, u krye nga mashtruesit rusë që i përdorin nofkat “Vovan dhe Lexus”.

Kjo dyshe njihet gjerësisht në Rusi për mashtrim të një vargu të politikanëve perëndimorë gjatë viteve, përfshirë kryeministren italiane, Giorgia Meloni, presidentin turk, Rexhep Erdogan, dhe më 2022, ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes të Britanisë, Ben Wallace.

Zyra e Jashtme tha se telefonata dukej si operacion rus e organizuar për ta tërhequr vëmendjen nga lufta e Moskës në Ukrainë. Kjo zyrë nuk iu përgjigj pyetjes për autenticitetin e videos së publikuar nga rusët.

Vovani dhe Lexusi në të kaluarën i kanë mohuar akuzat se kanë lidhje me shërbimet ruse të inteligjencës, edhe pse ata shpesh u bëjnë viktimave pyetje që do të ishin me interes për shtetin rus, përcjell gazeta "Nacionale".

Në videon e publikuar të mërkurën, autenticitetin e së cilës agjencia “Reuters” nuk mund ta vërtetonte në mënyrë të pavarur, Cameroni shihet dhe dëgjohet duke folur për tema të ndjeshme të lidhura me Ukrainën.

Në veçanti, ai dëgjohet duke folur për një darkë private me kandidatin për president të ShBA-së, Donald Trump, gjatë së cilës ai kishte lobuar te Trumpi për t’i lejuar republikanët që të votonin në favor të ndihmave ushtarake amerikane për Ukrainën.

Cameroni dëgjohet duke thënë se Partia Republikane e ShBA-së është e përçarë rreth Ukrainës dhe se ai i kishte thënë Trumpit që e kishte gabim, nëse presidenti Putin i Rusisë i donte vetëm Krimenë e aneksuar më 2014 dhe Donbasin, rajon në lindje të Ukrainës.

Cameroni gjithashtu dëgjohet duke thënë se Ukraina nuk do të ftohet për t’u anëtarësuar në NATO në samitin e NATO-s në korrik, sepse Uashingtoni e kundërshton këtë ide.

Sekretari britanik më tej dëgjohet duke thënë se nuk mendon që një plan francez për dërgimin e trupave në Ukrainë është qasja e duhur, sepse ushtarët do të bëheshin shënjestër e Putinit.

Në një pjesë tjetër të bisedës, Cameroni dëgjohet duke sjellë ndër mend një takim me homologun e tij nga Kazakistani në prill. Ai tha se ministri i kishte thënë se Kazakistani kishte frikë se Rusia “donte një rriskë” të pjesës veriore të Kazakistanit, ku jetojnë shumë rusë etnikë./Nacionale

Lajme të ngjashme