Kërdi në spitalin saudit në El Fasher të Sudanit, raportohet për mbi 460 të vrarë - NACIONALE

Kërdi në spitalin saudit në El Fasher të Sudanit, raportohet për mbi 460 të vrarë

8 muaj më parë

nga Nasuf Abdyli

Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), forcë paramilitare që po lufton qe dy vjet e gjysmë kundër ushtrisë sudaneze, kanë vrarë qindra pacientë dhe pjesëtarë të stafit brenda një spitali në qytetin El Fasher, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Rrjetit të Mjekëve të Sudanit, pasi grupi pretendoi të dielën se e kishte marrë nën kontroll këtë vendbanim.

Paralajmërim: Artikulli i mëposhtëm përmban pamje (video) të vrasjes. Nuk rekomandohet për persona nën moshën 18-vjeçare!

Sekretari i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në rrjetin X tha se OBSh-ja ishte “e tmerruar dhe thellësisht e shokuar” nga raportimet që më shumë se 460 njerëz ishin vrarë në spitalin saudit të maternitetit, pa ia hedhur fajin ndonjë grupi, shkruan gazeta “The Guardian”.

Në një shkrim të publikuar në rrjetin “Facebook” të mërkurën, Rrjeti i Mjekëve të Sudanit, grup mjekësor që e vëzhgon luftën civile në shtetin afrikan, tha: “Forcat e Mbështetjes së Shpejtë dje... vranë me gjakftohtësi secilin që e gjetën brenda spitalit saudit.”

El Fasher, qytet që dikur kishte më shumë se 1 milion njerëz, ka qenë nën rrethim nga RSF-ja që nga maji i vitit të kaluar. Në gusht të vitit 2024, në kampin “Zamzam” për persona të zhvendosur u shpall uria. Në prill, RSF-ja raportohet se vrau rreth 2.000 njerëz, kur e mori kampin nën kontroll. Në atë kohë, në kamp ishin të strehuar rreth 500.000 njerëz.

Në një video të paverifikuar, e publikuar në rrjetin X, një burrë që qëndronte në mesin e shumë trupave në tokë shihet duke u qëlluar me armë të gjatë nga afërsia nga një person i armatosur. (Pamje 18+):

Ekspertët gjithashtu kanë paralajmëruar se marrja nën kontroll e El Fasherit nga RSF-ja me gjasë do të jetë përsëritje e skenave të kapjes së qytetit Geneina, kryeqytet i Darfurit Perëndimor, në vitin 2023. RSF-ja raportohet se kishte vrarë rreth 15.000 civilë atë kohë, shumica pjesëtarë të grupeve joarabe.

Në janar, Shtetet e Bashkuara formalisht deklaruan se RSF-ja ka kryer gjenocid.

Të martën, Forcat e Bashkuara, koalicion i grupeve të armatosura aleate me ushtrinë sudaneze, thanë se RSF-ja kishte ekzekutuar më shumë se 2.000 civilë të paarmatosur që nga koha kur e mori nën kontroll qytetin El Fasher.

Udhëheqësi i RSF-së, Gjeneral Mohamed Hamdan Dagalo, i njohur si Hemedti, pranoi se ka pasur “abuzime” nga forcat e tij. Ai tha se është hapur një hetim, pa ofruar hollësi të tjera.

Gazeta “Nacionale” të martën publikoi një artikull të përkthyer të gazetës “The Guardian” rreth raportimeve për vrasje masive nga RSF-ja. Paralajmërim: Artikulli përmban pamje të ekzekutimeve.

Lajme të ngjashme