Rrokaqielli i njëjtë në Moskë goditet me dron për natën e dytë rresht - NACIONALE

Rrokaqielli i njëjtë në Moskë goditet me dron për natën e dytë rresht

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Një rrokaqiell në kryeqytetin rus, Moskë, është sulmuar me dron për natën e dytë rresht, sipas kryetarit të qytetit, Sergei Sobyanin.

Ai tha se disa dronë u rrëzuan gjatë natës, por “njëri prej tyre fluturoi në të njëjtën kullë që kompleksin Moscow City”, që u vu në shënjestër të dielën, raporton televizioni BBC.

Fasada e qelqtë e ndërtesës u dëmtua, por nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë e akuzoi Ukrainën për sulmin e ri. Autoritetet ukrainase zakonisht nuk japin komente për raste të tilla.

Në një deklaratë, kryetari i Moskës tha se fasada e ndërtesës është shkatërruar në 150 metra katrorë dhe se ekipet e emergjencës ishin duke punuar në vendin e ngjarjes.

Dy dronë të tjerë ukrainas u rrëzuan nga sistemet e mbrojtjes ajrore në zona të tjera të rajonit të Moskës, tha Ministria e Mbrojtjes e Rusisë, duke pretenduar se kishte zmbrapsur një “sulm terrorist” të ukrainasve.

Agjencitë ruse të lajmeve raportuan se edhe aeroporti “Vnukovo” në Moskë u mbyll për një periudhë të shkurtër.

Rusia e ka akuzuar vazhdimisht Ukrainën për kryerje të sulmeve me dronë në territorin rus muajve të fundit, përfshirë një ndaj rezidencës zyrtare të presidentit Vladimir Putin në muajin maj.

Edhe pse Ukraina nuk e ka marrë përgjegjësinë për incidente specifike, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se sulmet në territorin rus janë “të pashmangshme, natyrale dhe proces absolutisht i drejtë”.

Lajme të ngjashme