Rrjedhjet në gazsjellësit rusë shkaktojnë shqetësime për sabotim
Një varg i rrjedhjeve të pazakonshme në dy gazsjellës të gazit natyror nga Rusia nën Detin Baltik për në Gjermani kanë shkaktuar shqetësime për sabotim të mundshëm, duke e lënë në hije inaugurimin e një gazsjellësi të shumëpritur në Poloni, me të cilin do të dërgohet gaz në Evropë nga Norvegjia për ta fuqizuar pavarësinë energjetike nga Moska.
Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, tha se nuk mund ta përjashtojë mundësinë e sabotimit pas zbulimit të tri rrjedhjeve për një kohë të shkurtër në gazsjellësit “Rrjedha Veriore 1” dhe “Rrjedha Veriore 2”. Me këta gazsjellës nuk po dërgohet gaz në Evropë për shkak të mosmarrëveshjeve për luftën në Ukrainë. Sidoqoftë, gypat ende janë të mbushur me gaz.
Ajo u bë bashkë me presidentin e Polonisë, Andrzej Duda, dhe kryeministrin e këtij vendi, Mateusz Moraëiecki, për hapjen e një gypi të ri në Gazsjellësin Baltik, sistem i ri që do ta furnizojë Poloninë me gaz nga Norvegjia.
Asnjë zyrtar nuk paraqiti dëshmi për shkaktarin e problemeve, por në Evropën Qendrore, ku mosbesimi ndaj Rusisë është i lartë, pati frikë se Moska e ka sabotuar infrastrukturën e vet në shenjë zemërimi ose për të sinjalizuar se të gjithë gazsjellësit janë të ndjeshëm ndaj sulmeve. Rrjedhjet u vërejtën afër brigjeve të Danimarkës dhe Suedisë, shkruan “Associated Press”, përcjell Nacionale.
Një zyrtar i qeverisë polake tha se nuk e përjashton mundësinë e provokimeve ruse. “Nuk mund të përjashtoj asnjë skenar. Jemi në një situatë të tensionit të lartë ndërkombëtar. Fatkeqësisht, fqinji ynë lindor po zhvillon një politikë agresive gjatë tërë kohës”, tha zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Marcin Przydacz.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i quajti shumë alarmante rrjedhjet e gazit. “Kjo është një situatë e pashembullt që kërkon hetim urgjent. Ne jemi jashtëzakonisht të shqetësuar nga ky lajm”, tha ai në një konferencë për gazetarë. Kur u pyet nëse incidenti ka mundur të shkaktohet nga ndonjë akt sabotimi, ai tha se asnjë version nuk mund të përjashtohet.
Eksperti polak i energjisë, Andrzej Sikora, tha se ai ka paralajmëruar për mundësinë e sulmeve ndaj infrastrukturës që nga ndërtimi i gazsjellësit “Rrjedha Veriore 1” më 2010. Rënia e konsiderueshme e shtypjes, e shkaktuar nga rrjedhja e gazit, qartazi nuk ishte rezultat i saldimit të keq, tha Sikora, drejtor i Institutit për Studime të Energjisë.
Autoritetet daneze thanë të hënën se një rrjedhje e gazit është vërejtur në gazsjellësin “Rrjedha Veriore 2”, që nuk është përdorur ende asnjëherë. Ato më vonë njoftuan për rënie të konsiderueshme të shtypjes në gazsjellësin paralel, “Rrjedha Veriore 1”, që deri rishtazi ka qenë burim kyç i furnizimit me gaz për Gjermaninë.
