Dita e dytë: Mbi 500 të vrarë në Izrael e Gaza, përfshihet edhe lëvizja “Hezbollah” e Libanit - NACIONALE

Dita e dytë: Mbi 500 të vrarë në Izrael e Gaza, përfshihet edhe lëvizja “Hezbollah” e Libanit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Raketa, luftime të ashpra, kidnapime e beteja ka pasur gjatë gjithë natës në Izrael e Gaza. Në luftime është përfshirë edhe lëvizja “Hezbollah” e Libanit. Numri i viktimave ka shkuar në mbi 500 në Gaza e Izrael. Nacionale sjell detaje.

Numri i të vdekurve në Izrael është rritur në të paktën 300, derisa raportet thonë se qindra të tjerë u plagosën.

Gjithashtu, sipas të dhënave është mësuar se deri më tani të paktën 20 fëmijë janë vrarë në Gaza, derisa të paktën 120 të mitur të tjerë u plagosën.

Hamasi thotë se luftëtarët e tij janë ende të përfshirë në beteja ‘të ashpra’ brenda Izraelit.

Kurse 256 palestinezët u vranë në Rripin e rrethuar të Gazës, raportojnë mediat ndërkombëtare.

The Guardian raporton mëngjesin e sotëm se ka pasur luftime ndërmjet ushtrisë së Izraelit dhe grupit libanez, Hezbollah, duke shkaktuar shqetësime për një konflikt më të gjerë rajonal.

Grupi Hezbollah kishte marrë përgjegjësinë për bombardimin e një poziconi ushtarak të Izraelit në një zonë të territorit të diskutueshëm pranë kufirit me Libanin.

“Vendet e radarëve, Zibdin dhe Ruëaisat Al-Alam u bombarduan me një numër të madh predhash artilerie dhe raketash të drejtuara”, thanë ata në një deklaratë, të raportuar nga Al Jazeera.

“Ne shënjestruam tre vende të okupimit izraelit në zonën e pushtuar libaneze të fermave Shebaa”.

Forcat izraelite të mbrojtjes thanë se ata qëlluan mbi zonat në Libanin jugor si përgjigje, duke përfshirë përdorimin e një droni për të shënjestruar pozicionet e Hezbollahut në zonën përreth Fermave Shebaa.

The Guardian ka ofruar të përmbledhura zhvillimet kryesore në Izrael e Gaza:

Të paktën 250 izraelitë kanë vdekur nga sulmet e Hamasit, kanë thënë zyrtarët izraelitë, ndërsa më shumë se 1,590 izraelitë janë plagosur, tha ministria e shëndetësisë e Izraelit.

Të paktën 230 palestinezë janë vrarë dhe 1610 janë plagosur në Gaza nga hakmarrja izraelite pas sulmit të Hamasit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka thënë se vendi është “duke hyrë në një luftë të gjatë dhe të vështirë” dhe paralajmëroi banorët e Gazës që “të dalin prej andej tani”, duke u zotuar të reduktojë strehët e Hamasit në “rrënoja”. Netanyahu tha se “faza e parë” e kundër-operacionit kishte përfunduar dhe se Izraeli kishte luftuar shumicën e militantëve të Hamasit brenda territorit të tij. Ai u zotua të vazhdojë ofensivën “pa rezerva dhe pa afat”.

Izraeli gjithashtu do të ndalojë furnizimin me energji elektrike, karburant dhe mallra për Gazën, sipas një deklarate nga zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të shtunën mbrëma.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, dënoi ashpër sulmet e Hamasit kundër Izraelit, duke thënë në një fjalim të shtunën “Shtetet e Bashkuara qëndrojnë me Izraelin”. Ai lëshoi një deklaratë më herët duke i quajtur sulmet “të tmerrshme”.

Militantët e Hamasit hynë në territorin izraelit në orët e para të mëngjesit të së shtunës, duke u dukur se kishin marrë kontrollin e komuniteteve të ndryshme në jug të vendit. Luftimet vazhdojnë ende në disa zona.

Sipas autoriteteve izraelite, Hamasi lëshoi mijëra raketa drejt Izraelit. Komandanti ushtarak i Hamasit, Mohammed Deif, tha se 5,000 ishin lëshuar, por një zëdhënës ushtarak izraelit tha se bëhej fjalë për 2,500 raketa të lëshuara.

Izraeli i shpalli luftë Gazës pas sulmit, duke nisur sulmet ajrore hakmarrëse dhe duke e çuar infrastrukturën mjekësore në kaos.

Civilët dhe ushtarët izraelitë mbahen peng në Gaza, konfirmoi një zëdhënës i forcave të mbrojtjes izraelite. Zëdhënësi nuk pranoi të specifikojë numrin e pengjeve.

Netanyahu ka ofruar një qeveri uniteti pas shpalljes së gjendjes së luftës. Ky veprim do të sjellë Netanyahun dhe liderin e opozitës Yesh Atid, Yair Lapid, së bashku gjatë emergjencës kombëtare.

Presidenti palestinez Mahmoud Abbas i tha sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken se “padrejtësia” ndaj palestinezëve po e çon konfliktin me Izraelin në një “shpërthim”, njoftoi agjencia palestineze e lajmeve WAFA. Agjencia raportoi gjithashtu se Abbas mori një telefonatë nga homologu i tij francez Emmanuel Macron, në të cilën Abbas “theksoi se përshkallëzimi aktual në rajon është rezultat i ngërçit politik” dhe një “mohim i të drejtës legjitime të popullit palestinez për vetëvendosje”.

Mes Izraelit dhe Hamasit ka tensione të vazhdueshme, por sulmi i fundit ndodhi pa paralajmërim. Hamasi gjuajti mijëra raketa në Izrael, ndërsa dhjetëra luftëtarë të tij shkelën kufirin dhe pushtuan komunitetet izraelite, duke vrarë dhjetëra civilë dhe duke marrë robër të tjerë.

Izraeli filloi menjëherë sulmet ajrore, duke thënë se ka në shënjestër objektet e militantëve në Gazë. Zyrtarët lokalë thanë se më shumë se 200 njerëz u vranë.

Lajme të ngjashme