Rritet për më shumë se 200 numri i të vrarëve në Gazë, Hamasi thotë se vrau një ushtar izraelit
Ministria e Shëndetësisë në Gazë, që kontrollohet nga Hamasi, ka thënë se numri i të vrarëve në këtë enklavë nga 7 tetori ka shkuar në të paktën 8 mijë e 525.
Sipas kësaj ministrie, në mesin e të vrarëve janë 3.542 fëmijë e 2.187 gra, si dhe 130 punëtorë shëndetësorë, raporton televizioni BBC.
Të hënën, shifra e përgjithshme e të vdekurve, sipas kësaj ministrie, ishte 8.306, duke lënë të kuptohet se mbi 200 persona raportohet të jenë vrarë vetëm gjatë 24 orëve të fundit.
Ndërkohë, Brigadat Al Qassam të Hamasit thonë se kanë vrarë një ushtar izraelit dhe kanë shkatërruar dy automjete që mundoheshin të lëviznin më në thellësi në veriperëndim të Gazës.
Këto forca pretenduan, gjithashtu, se i kanë vënë flakën një tanku izraelit afër lagjes Zeitoun, pasi e kishin goditur me një predhë kundërtanke.
