Rritet numri i të vrarëve, kryediplomati britanik thotë se është e kuptueshme thirrja për armëpushim
Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly, ka thënë se thirrjet për armëpushim në Gaza janë të kuptueshme.
Britania e Madhe e ka mbështetur luftën e Izraelit dhe nuk ka bërë thirrje për armëpushim pavarësisht nga presioni i madh ndërkombëtar, raporton gazeta “The Guardian”.
“Mirë, ajo që e kemi thënë është që thirrja për armëpushim është e kuptueshme, por ajo që ne gjithashtu e njohim është se Izraeli është duke marrë masa për t’i siguruar stabilitetin dhe sigurinë e vet”- tha ministri britanik gjatë një vizite në Riad të Arabisë Saudite, ku u takua me homologun saudit, Faisal bin Farhan Al Saud.
“Natyrisht, duam që këtë situatë të tmerrshme ta shohim të zgjidhur sa më shpejt që është e mundshme. Sfidë e menjëhershme janë nevojat humanitare të popullit të Gazës”- shtoi ai.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha të enjten se numri i të vrarëve nga fillimi i luftës ka shkuar në 10 mijë e 812, përfshirë 4 mijë e 412 fëmijë.
Përderisa ushtria izraelite e ka konfirmuar zbatimin e disa “pauzave taktike” në luftime, komuniteti ndërkombëtar po i vazhdon përpjekjet për ndërmjetësim e për gjetjen e një zgjidhjeje.
Ministria e Jashtme e Gjermanisë njoftoi se kryediplomatja e këtij shteti, Annalena Baerbock, do t’i vizitojë Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraelin duke filluar nga e premtja.
Agjencia “Reuters” ka raportuar se një takim trepalësh u zhvilluar të enjten në Katar mes shefave të CIA-s e Mossad-it – shërbimi izraelit i inteligjencës – dhe kryeministrit të Katarit për t’i diskutuar parametrat e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve dhe pauzën e sulmeve izraelite ndaj Gazës.
