Banka e Izraelit raporton për koston e rëndë të luftës ndaj ekonomisë së vendit - NACIONALE

Banka e Izraelit raporton për koston e rëndë të luftës ndaj ekonomisë së vendit

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Mungesa e shumë punëtorëve në vendet e tyre të punës për shkak të luftës kundër Hamasit i ka kushtuar ekonomisë izraelite rreth 2,3 miliardë shekelë (600 milionë dollarë) në javë ose rreth 6 për qind të prodhimit vendës bruto, sipas në raporti hulumtues të Bankës së Izraelit.

Përmes këtij raporti është matur kostoja javore gjatë tri javëve të para të luftës dhe pasojat i vishen rënies së fuqisë punëtore për shkak të mobilizimit masiv të rezervistëve, evakuimit të banorëve në veri e në jug të vendit dhe mbylljen e sistemit arsimor, duke ua vështirësuar punën prindërve, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Sipas përllogaritjes, 1,25 miliard shekelë kanë humbur për shkak të mbylljes së institucioneve arsimore, 590 milionë shekelë për shkak të mungesës së punëtorëve në punë – 144 mijë banorë të evakuuar nga zonat e prekura nga lufta – dhe rreth 500 milionë shekelë për shkak të mobilizimit të rreth 360 mijë ushtarëve rezervë.

Banka Qendrore theksoi se rihapja e pjesshme e sistemit arsimor ditëve të fundit mund ta zvogëlojë koston e luftës.

Të enjten u raportua se janë duke u zhvilluar bisedime për arritjen e një armëpushimi treditor në Gaza në këmbim të lirimit të rreth 12 pengjeve nga Hamasi. Thuhet se në këto bisedime po ndërmjetësojnë Egjipti, Katari dhe Kombet e Bashkuara.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha të enjten se dhjetë palestinezë u vranë dhe të paktën 20 të tjerë u lënduan nga forcat izraelite gjatë një bastisjeje në qytetin Jenin dhe në kampin e refugjatëve në Bregun e pushtuar Perëndimor.

Ushtria izraelite tha se ishte duke kryer bastisje kundër terrorizmit në Jenin, por nuk dha hollësi të tjera.

Të paktën 176 palestinezë janë vrarë në Bregun Perëndimor që nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor dhe hakmarrja pasuese e forcave izraelite, sipas shifrave të Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.

Lajme të ngjashme