AP: Po zhvillohen bisedime për armëpushim treditor në Gaza – me një kusht - NACIONALE

AP: Po zhvillohen bisedime për armëpushim treditor në Gaza – me një kusht

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Disa zyrtarë kanë thënë se janë duke u zhvilluar bisedime për arritjen e një armëpushimi treditor në Gaza në këmbim të lirimit të më shumë se dhjetë pengjeve që po mbahen nga Hamasi.

Kështu kanë thënë dy zyrtarë nga Egjipti, një nga Kombet e Bashkuara dhe një diplomat perëndimor, të cilët folën në kushte anonimiteti për t’i diskutuar përpjekjet e ndjeshme diplomatike, raporton agjencia “Associated Press”.

Me këtë marrëveshje do të mundësoheshin hyrja e më shumë ndihmave, përfshirë një sasi të kufizuar të karburantit, në enklavën e rrethuar për t’i lehtësuar kushtet që po përkeqësohen për popullsinë prej 2,3 milionë palestinezëve në Gaza. Sipas zyrtarëve dhe diplomatit perëndimor, marrëveshja po ndërmjetësohet nga Katari, Egjipti dhe Kombet e Bashkuara.

Lufta, tashmë në muajin e dytë, u nxit nga sulmi i Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që kontrollohet nga Hamasi, deri më tani gjatë luftës në enklavë janë vrarë mbi 10.500 njerëz, përfshirë më shumë se 4.300 fëmijë.

Më shumë se 1.400 njerëz janë vrarë në Izrael, shumica gjatë sulmit të Hamasit më 7tetor, ndërsa 239 persona të tjerë janë marrë peng. Në Bregun e pushtuar Perëndimor, më shumë se 160 palestinezë janë vrarë gjatë dhunës dhe bastisjeve të forcave izraelite.

Sipas Kombeve të Bashkuara, rreth 50 mijë palestinezë u zhvendosën të mërkurën nga pjesa veriore drejt jugut të Gazës, që është numri më i lartë i të evakuuarve nëpër korridorin e kontrolluar nga Izraeli, që u hap për herë të parë para disa ditëve.

Lajme të ngjashme