OKB-ja i akuzon Izraelin dhe grupet palestineze për krime lufte
Komisionari i Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB, Volker Turk, ka thënë se të dyja palët e konfliktit në luftën mes Izraelit dhe Hamasit kanë kryer krime lufte.
Duke folur të mërkurën në pikëkalimin kufitar mes Gazës dhe Egjiptit në Rafah, zyrtari i OKB-së tha: “Mizoritë që u kryen nga grupet e armatosura palestineze më 7 tetor ishin rrëqethëse, brutale dhe shokuese, ato ishin krime lufte, siç është mbajtja e vazhdueshme e pengjeve”- raporton televizioni BBC.
Megjithatë, Turk-u e akuzoi edhe palën tjetër – forcat izraelite - për krime lufte.
“Ndëshkimi kolektiv nga Izraeli i civilëve palestinezë përbën gjithashtu krime lufte, siç është edhe evakuimi i paligjshëm e me forcë i civilëve. Bombardimet e brendshme nga Izraeli kanë vrarë, gjymtuar e lënduar në veçanti gra e fëmijë”- shtoi komisionari i OKB-së.
Turk-u e përshkroi bombardimin e Rripit të Gazës si vendosje të një “barre të papërballueshme ndaj jetës së njeriut, ndaj civilëve”.
Cilat akte cilësohen krime lufte?
Rregullat e luftës janë të përcaktuara në Konventat e Gjenevës dhe në ligje e marrëveshje të tjera ndërkombëtare.
Ato mbulojnë shumë gjëra, përfshirë rregullat që forcat ushtarake nuk mund t’i sulmojnë qëllimisht civilët dhe se të plagosurve duhet t’u ofrohet kujdes, përfshirë ushtarët e plagosur, të cilët kanë të drejta si të burgosur lufte.
Marrja e pengjeve është e ndaluar dhe cilësohet krim lufte. Ajo përshkruhet si “marrje ose ndalim i një personi, i kombinuar me kërcënimin për të vrarë, për të lënduar ose për ta vazhduar ndalimin”.
E drejta ndërkombëtare gjithashtu paralajmëron se shtetet e përfshira në konflikt “nuk mund të dëbojnë ose të transferojnë me forcë popullsi civile të një territori të pushtuar... nëse një gjë e tillë nuk kërkohet për sigurinë e civilëve të përfshirë ose për arsye urgjente ushtarake”.