Rriten tensionet: Përsëri raketa nga Gaza, përsëri bastisje në xhaminë “Al-Aqsa” nga Izraeli - NACIONALE

Rriten tensionet: Përsëri raketa nga Gaza, përsëri bastisje në xhaminë “Al-Aqsa” nga Izraeli

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Hedhja e raketave nga Gaza dhe bastisja e re e policisë izraelite në xhaminë “Al-Aqsa” në Jerusalem brenda dy ditëve kanë shkaktuar frikë për eskalim të mëtejshëm në një periudhë të ndjeshme të festave fetare.

Militantët palestinezë në Rripin e bllokuar të Gazës hodhën rreth nëntë raketa drejt Izraelit në orët e hershme të mëngjesit, duke e nxitur aktivizimin e sirenave të alarmit në pjesën jugore të vendit, por pa shkaktuar pasoja në njerëz. Shumica e raketave shpërthyen para arritjes së cakut, tha ushtria izraelite, pa shkaktuar dëme. Asnjëri nga grupet militante në Gaza nuk e mori përgjegjësinë për hedhjen e tyre, raporton gazeta “The Guardian”.

Dy raketa u hodhën pak para incidentit të dytë në vendin e shenjtë në Jerusalem, ku policia përdori granata shokudhe plumba gome dhe hyri në xhami për t’i larguar besimtarët. Sipas Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, gjashtë persona u lënduan.

Dhuna e re ndodhi pas bastisjes së policisë izraelite në “Al-Aqsa” të mërkurën, ku të paktën 12 persona u lënduan dhe mbi 350 u arrestuan. Ky veprim nxiti sulm me raketa nga Rripi i Gazës, ndërsa Izraeli u kundërpërgjigj me sulme ajrore ndaj objekteve ushtarake të grupit “Hamas”. Bastisja u dënua nga bota islame dhe shkaktoi shqetësim në Shtëpinë e Bardhë.

“Ne nuk jemi të interesuar për eskalim, por jemi gati për çfarëdo skenari”- tha Daniel Hagari, zëdhënës i ushtrisë izraelite.

Në pjesën veriore të Izraelit, në qytezën me shumicë arabe, Umm al-Fahm, përleshjet shpërthyen gjatë natës mes protestuesve dhe policisë. Në Qytetin e Vjetër të Jerusalemit, një adoleshent palestinez u plagos lehtë me armë nga një civil izraelit.

Ministria e Jashtme palestineze tha se Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë të enjten një takim me dyer të mbyllura për të diskutuar rreth dhunës së përdorur në bastisjen e së mërkurës, për të cilën autoritetet izraelite thanë se ishte një përpjekje për ta parandaluar dhunën përmes shpërndarjes së një grupi besimtarësh të ngujuar brenda xhamisë me armë, gurë e fishekzjarrë, të cilët po planifikonin që ta prishnin paqen.

Organizata jordaneze që e menaxhon vendin e shenjtë si dhe disa dëshmitarë thanë se policia izraelite hyri në xhami ende pa u përfunduar lutjet.

Myslimanët shpesh e kalojnë natën në atë xhami gjatë Ramazanit, por organizata u pajtua këtë vit që besimtarët nuk do të lejoheshin që të qëndronin aty tërë natën.

Lajme të ngjashme