Përleshje në xhaminë “Al-Aqsa” në Jerusalem, Izraeli arreston disa persona
Policia izraelite është përleshur me dhjetëra besimtarë palestinezë në xhaminë “Al-Aqsa” në Jerusalem.
Policia tha se kreu një bastisje para agimit, pasi tha se “agjitatorët” me fishekzjarrë, shkopinj e gurë e kishin mbyllur veten brenda xhamisë, raporton televizioni BBC.
Palestinezët thonë se 14 persona u lënduan, pasi policia përdori granata shoku e plumba gome për ta shpërndarë grupin.
Të paktën nëntë raketa u hodhën më vonë nga Rripi i Gazës drejt Izraelit. Sirenat e alarmit për sulm ajror u dëgjuan afër qytetit Sderot.
Ushtria izraelite tha se pesë raketa u penguan, ndërsa katër të tjera ranë në zona të hapura.
Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për hedhjen e tyre deri më tani, por besohet se grupi “Hamas” e ka miratuar këtë veprim.
Nënkryetari i këtij grupi, Saleh Al-Arouri, paralajmëroi se “sulmimi i shenjtërive islame do të ketë çmim të lartë dhe ne do ta djegim tokën nën këmbët e tyre”.
Ushtria izraelite tha më vonë se ka vënë në shënjestër zona të militantëve përmes aeroplanëve ushtarakë.
Përleshjet në Jerusalemin Lindor të aneksuar nga Izraeli filluan, pasi disa besimtarë palestinezë e kishin barrikaduar veten në xhami pas lutjeve të Ramazanit.
Në incizime të bëra brenda xhamisë shihen fishekzjarrët duke u hedhur nga protestuesit. Policia izraelite tha se në drejtim të policëve janë hedhur gurë dhe se njëri prej tyre është lënduar.
Në një video tjetër duket se shfaqen disa policë izraelitë duke i rrahur palestinezët me shkopinj.
Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze tha se forcat izraelite nuk po ua lejojnë mjekëve të saj shkuarjen në xhami.
