Rriten tensionet në Afrikë, Kongoja e akuzon Ruandën për kalim të kufirit me forca speciale
Forcat e armatosura të Republikës Demokratike të Kongos e kanë akuzuar Ruandën se ka dërguar 500 pjesëtarë të forcave speciale në uniforma të rreme brenda territorit kongolez. Kjo është akuza më e re në mosmarrëveshjen që po eskalon mes dy fqinjëve afrikanë.
Zëdhënësi i ushtrisë së Ruandës tha se kjo akuzë është tregim i rremë. Një zëdhënëse e Qeverisë së Ruandës tha se vendi i saj nuk u përgjigjet akuzave të pabaza, raporton agjencia “Reuters”.
Në një deklaratë, ushtria kongoleze tha se 500 ushtarë të forcave speciale të Ruandës, të veshur me uniforma ngjyrë gjelbër e zi, të ndryshme nga uniforma e tyre zyrtare, janë pozicionuar në zonën Tshanzu të provincës së Kivu-s Verior, që kufizohet me Ruandën.
Ushtria i bëri thirrje popullsisë lokale për kujdes dhe për denoncim të çdkujt që e shohin të veshur me uniformë gjelbër e zi.
Në deklaratën e ushtrisë kongoleze gjithashtu thuhet se rebelët e grupit “M23”, të përkrahur nga Ruainda, kanë sulmuar një trupë paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara në zonën Rutshuru dhe kanë lënduar tre paqeruajtës të Tanzanisë.
Luftimet e fundit në lindje të Kongos kanë detyruar dhjetëra mijëra njerëz që të largohen nga shtëpitë e tyre në rajonin që ka pasur pak qetësi që nga pushtimet e Ruandës e Ugandës më 1996.
Kongoja e akuzon Ruandën për përkrahje aktive për grupin “M23”, që po e zhvillon ofensivën më të qëndrueshme në zonat lindore të Kongos që nga marrja nën kontroll e pjesëve të mëdha të territorit më 2012 dhe 2013.
Ruanda e mohon këtë dhe e akuzon ushtrinë kongoleze për të shtëna në territorin e saj dhe luftim bashkë me FDLR-në, grup i armatosur që udhëhiqet nga grupi etnik, Hutu, që ishte larguar nga Ruanda pas pjesëmarrjes në gjenocidin e vitit 1994./Nacionale