Rrëzimi i avionit në Ukrainë që la 298 të vrarë, Holanda dënon me burg të përjetshëm dy rusë dhe një ukrainas
Një gjykatë holandeze ka dënuar me burgim të përjetshëm dy shtetas rusë dhe një separatist ukrainas pasi ata u gjykuan për rolet e tyre në rrëzimin e avionit të Malaysian Airlines në vitin 2014, i cili la të vrarë 298 personat që gjendeshin në bord.
Referuar të dënuarve, sipas CNN, gjykata deklaroi se, “pasojat e veprimeve janë aq të rënda dhe qëndrimi i tyre aq i neveritshëm sa nuk do të mjaftonte një dënim me kohë të caktuar”.
Ish-oficerët e inteligjencës ruse Igor Girkin dhe Sergey Dubinskiy, si dhe lideri separatist ukrainas Leonid Kharchenko, kanë refuzuar të marrin pjesë në gjyq dhe u gjykuan në mungesë.
Ndërkohë, ky vendim i gjykatës është mirëpritur nga kryeministri holandez Mark Rutte, i cili e cilësoi si një hap të rëndësishëm, por jo përfundimtar.
“Vendimi për MH17 është pritur gjatë. Është mirë që tani është arritur kjo pikë. Ky është një hap tjetër në ndjekjen e së vërtetës dhe drejtësisë për viktimat dhe të dashurit e tyre. Por është gjithashtu një ditë tjetër e vështirë dhe shqetësuese për shumë nga familjet dhe miqtë e 298 personave që humbën jetën në atë ditë të tmerrshme, 17 korrik 2014”, ka thënë ai në një deklaratë.
Ndërkohë lidhur me vendimin kanë reaguar edhe NATO e ShBA, me Sekretarin e Përgjithshëm të aleancës Jens Stoltenberg, i cili shkroi në Twitter se: “Nuk mund të ketë mosndëshkim për krime të tilla. Mendimet e mia janë me familjet dhe të dashurit e 298 viktimave të pafajshme”.
Vendimi është përshendetur edhe nga Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken, i cili u shpreh se, "është një moment i rëndësishëm në përpjekjet e vazhdueshme për të dhënë drejtësi për viktimat.”
Ndërkohë, Gjykata e Qarkut të Hagës ka njoftuar edhe një kompensim për familjarët e viktimave, duke u dhënë atyre më shumë se 16.5 milionë dollarë dëmshpërblim.
Megjithatë, vendimi për burg të përjetshëm ndaj shtetasve rusë nuk është pritur mirë nga Rusia, e cila sipas medias shtetërore ruse TASS, ka thënë se nuk do të ekstradojë shtetasit e saj të cilët janë dënuar në mungesë.
Çfarë ndodhi me fluturimin MH17?
Më 17 korrik 2014, fluturimi MH17 i Malaysia Airlines ishte nisur nga Amsterdami për në Kuala Lumpur. Më pas, avioni Boeing 777 ishte rrëzuar në rajonin Donbas të Ukrainës lindore, mes një konflikti midis rebelëve pro-rusë dhe forcave ukrainase. Nga rrëzimi humbën jetën të gjithë 298 personat që ndodheshin në bord.
Pas rrëzimit, një ekip ndërkombëtar hetuesish - i ashtuquajturi Ekipi i Përbashkët Hetimor (JIT) - arriti në përfundim se avioni ishte goditur nga një raketë kundërajrore e tipit "BUK" të epokës sovjetike.
Ekipi ka thënë se, raketa ishte lëshuar nga një zonë e Donbasit e kontrolluar nga rebelët pro-rusë. E pas përpjekjeve të dështuara për nisur një gjykatë ndërkombëtare që të merrej me rastin, bazuar në ligjet e veta kombëtare në mars të vitit 2020, Holanda nisi një gjyq, kjo pasi shumica e viktimave, gjithsej 193 ishin nga Holanda.
Të dyshuarit, tashmë të dënuar përjetësisht, u akuzuan se përveç hedhjes së raketës, ata kishin punuar së bashku edhe për dërgimin e saj në fushën nga e cila ishte hedhur. E edhe pse vitin e kaluar janë lëshuar urdhërarrestet ndërkombëtare për ta, ata nuk kanë qenë në gjyq, pasi kanë refuzuar të njohin akuzat kundër tyre dhe nuk janë ekstraduar nga Rusia.
