Rreth 50 ushtarë të vrarë nga sulmi ndaj një baze ushtarake në Burkina Faso, thonë banorët - NACIONALE

Rreth 50 ushtarë të vrarë nga sulmi ndaj një baze ushtarake në Burkina Faso, thonë banorët

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Një sulm nga një grup i armatosur ndaj një baze ushtarake në pjesën veriore të Burkina Fasos ka lënë rreth 50 ushtarë të vdekur, sipas rrëfimeve të një udhëheqësi të komunitetit dhe një banori të martën.

Grupi “Jama’at Nasr al-Islam wal-Muslimin” (JNIM) dyshohet se e kreu sulmin të hënën ndaj bazës në Dargo të provincës Boulsa, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Dy birimet, të cilët folën me agjencinë “Associated Press” në kushte anonimiteti, sepse kishin frikë prej hakmarrjes nga ushtria, thanë se rreth 100 militantë morën pjesë në sulm dhe se të armatosurit e dogjën dhe e plaçkitën bazën pas vrasjes së ushtarëve.

Qeveria ushtarake ende nuk e ka pranuar publikisht ekzistimin e sulmit.

JNIM-i, njëri prej disa grupeve të armatosura që kryejnë sulme në mbarë Afrikën Perëndimore, është fajësuar për qindra vdekje të civilëve e ushtarëve. Burkina Faso po ballafaqohet me shtim të sulmeve nga grupet e armatosura që e kanë nën kontroll shumicën e vendit, sidomos zonat jashtë kryeqytetit.

Situata e përkeqësuar e sigurisë ka shkaktuar ndryshime politike në vend dhe ka shërbyer si pretekst për puçe ushtarake të njëpasnjëshme. Udhëheqësi ushtarak, Ibrahim Traore, nuk ka arritur që t’i frenojë grupet islamiste pavarësisht ndryshimit të aleatëve politikë e ushtarakë.

Lajme të ngjashme