Rrëfimi rrëqethës i mjekut francez në Gaza: Më së vështiri zgjedhja e pacientëve, një fëmijë s'do ta trajtojmë
Në korridoret e ngarkuara të spitalit evropian në Khan Younis, mjekë të dërrmuar vendosin se kush nga grumbulli i madh i pacientëve që mbërrijnë nga veriu i Gazës duhet të jetojë ose të vdesë.
Qindra viktima janë vendosur në jug ditëve të fundit pas evakuimit të spitaleve në qytetin Gaza, duke e stërngarkuar stafin mjekësor që tashmë ishte në vështirësi për shkak të mungesës akute të ilaçeve, pakësimit të racioneve të ushqimit e qasjes me ndërprerje në energji elektrike e linja komunikimi.
Personat e lënduar janë bërë bashkë me mijëra njerëz të zhvendosur, që po kërkojnë strehim e siguri në objekte shëndetësore, raporton gazeta “The Guardian”.
Dr. Paul Ley, kirurg ortoped në spitalin evropian, tha se njerëzit e zhvendosur po flenë në ashensorë, një ekip i vogël po punon vazhdimisht në katër salla operimi për të amputuar gjymtyrë të infektuara pas disa ditëve pa trajtim dhe se ka mungesë akute të ilaçeve kundër dhimbjes.
Vendimet për përzgjedhjen e pacientëve duhej të merreshin shpejt. Në një rast, kjo nënkuptoi lënien e një fëmije 12-vjeçar që të vdesë vetëm me trajtim për lehtësim të dhimbjes për t’i ruajtur ilaçet e tjera që po pakësoheshin.
Ortopedi tha se ditëve të fundit në këtë spital janë pranuar 500 pacientë të evakuuar nga spitalet në veri të Gazës.
“Shumë nuk kanë marrë trajtim për nëntë ose dhjetë ditë, sepse spitalet atje ishin jofunksionale, edhe nëse ishin të hapura. Kjo është situata që është duke ndodhur këtu tani. Ky është spital funksional, por po stërngarkohemi. Nuk është asnjë vend për t’u evakuuar atje... Nuk ka rrugë të ikjes. Ne jemi ndoshta njëra nga vijat e fundit të mbrojtjes”- shtoi Dr. Ley.
Nuk pati konfirmim të pavarur për rrëfimin e mjekut, por hollësitë përputhen me përshkrimet e anëtarëve të tjerë të stafit mjekësor si dhe me ato të reporterëve në Gaza. Ley dërgoi fotografi të disa prej lëndimeve që ai ia përshkroi gazetës.
Në repartin e plagëve nga djegia ndodhen 78 pacientë, gati 40 për qind prej tyre fëmijë nën moshën 5-vjeçare.
“Kurrë nuk kam parë diçka si kjo. Kam qenë në shumë rrethana lufte, ku llojet e plagëve janë të njëjta, por numri është i madh. Kurrë nuk dalim nga spitali. Punojmë gjatë tërë kohës”- tha mjeku francez.
Shumë prej të lënduarve që kanë arritur në spital ishin lënduar disa ditë më parë, që do të thotë se plagët e tyre janë infektuar. Ley tha se disa prej rrobave të njerëzve nuk ishin ndërruar qe dhjetë ditë dhe plagët ishin plot krimba. Në raste të tjera, kirurgët u detyruan që të amputonin gjymtyrë që në raste normale do të ishin shpëtuar.
Një problem tjetër është mungesa e anestezionit dhe ilaçeve kundër dhimbjes.
“Kryejmë operacione me anestezion minimal. Nëse na harxhohet, nuk mund të operojmë, por nuk ka vijë të qartë. Ka shumë njerëz që qajnë, bërtasin nga dhimbja, por nuk kemi analgjetikë të mjaftueshëm. I ruajmë për fëmijët ose për rastet shumë të rënda”- shtoi ortopedi.
Ortopedi Ley tha se gjëja më e vështirë për mjekët është që t’i përzgjedhin pacientët. “E bëjmë përzgjedhjen... [duke pyetur] a do ta marrim këtë pacient, sepse do të ketë gjasë të mirë për mbijetesë para ndërmarrjes së masave dëshpëruese te një pacient që do të vdesë brenda dy ose tri ditëve? Kjo tingëllon bukur në letër, por kur detyrohesh që ta marrësh vendimin, është ndryshe. Është një 12-vjeçar me 90 për qind djegie, prandaj nuk do ta trajtojmë, përpos për kontrollimin e dhimbjeve, që nuk mjafton”- tha ai.
“Mundohemi që t’i mbajmë kokat tona të ftohta e të qëndrueshme, por për stafin lokal ata [pacientët] janë familje, shokë, njerëz të tyre. Ata kurrë nuk duan që të amputojnë [gjymtyrë]. Thonë: "Nuk mund ta bëj më". Unë u them: “Në rregull, unë do ta bëj, mos u brengos” dhe mund ta ndieni lehtësimin”- shtoi mjeku.
Në zonën e kompleksit spitalor, mijëra familje të dëshpëruara janë dyndur në strehimore druri ose kartoni. Spitali nuk është shënjestruar nga sulmet izraelite, edhe pse copëzat e predhave e kanë goditur ndërtesën dhe fuqia e shpërthimeve ka thyer dritare.
Zyrtarë të ushtrisë izraelite thonë se bëjnë çdo përpjekje për t’i shmangur viktimat civile dhe për ta respektuar të drejtën ndërkombëtare. Ata thonë se Hamasi është duke i përdorur 2,3 milionë banorët e Gazës si mburojë njerëzore dhe pretendojnë se kanë gjetur dëshmi të hapësirave ushtarake të Hamasit në spitale, shkolla e shtëpi ose nën to.
Në zona të tjera në Khan Younis, dhjetëra mijëra njerëz janë dyndur në strehimore që menaxhohen nga Kombet e Bashkuara. Në njërën prej tyre, që ishte qendër trajnimesh para luftës, më shumë se 35 mijë njerëz kanë vetëm 48 tualete dhe katër banja, i thanë këtë javë administratorët gazetës “The Guardian”.
“Kushtet janë të tmerrshme. Të gjithë fëmijët po sëmuren me kollë ose probleme barku. Ka përleshje për hapësira për gjumë dhe ushqim”- tha një administrator, i cili nuk ishte i autorizuar për të folur me media.
Që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, Izraeli ka vendosur bllokadë pothuajse të plotë ndaj Gazës. Furnizimet me ushqim nga OKB-ja janë pakësuar në rreth një kilogram miell dhe një konservë peshk ose bizele në ditë, tha një administrator, duke i lënë familjet duke mbijetuar me bukë të përbërë nga mielli e uji, të gatuara në teneqe mbi zjarr të hapur.
“Nuk ka ushqim në dyqane dhe s’ka karburant. Edhe drunjtë janë të rrallë dhe të shtrenjtë, prandaj njerëzit po presin drurë rrugëve. Kripa është vërtet e rrallë. Askush nuk ka dhe nëse ke pak, mund ta tregtosh me shumë ushqim”- shtoi administratori.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli
