Rojat Revolucionare të Iranit i ndalojnë të gjitha pajisjet e komunikimit
Rojat Revolucionare të Iranit, forcë elite e ushtrisë iraniane, i kanë urdhëruar të gjithë pjesëtarët që ta ndërpresin përdorimin e çfarëdo lloji të pajisjeve të komunikimit, pasi mijëra pejxherë dhe radio-lidhje, që përdoreshin nga Hezbollahu në Liban, shpërthyen gjatë sulmeve vdekjeprurëse javën e kaluar, i thanë agjencisë “Reuters” dy zyrtarë të lartë iranianë të sigurisë.
Njëri nga zyrtarët e sigurisë tha se një operacion i madh është duke u zhvilluar nga Rojat Revolucionare për inspektimin e të gjitha pajisjeve, jo vetëm atyre të komunikimit. Ai tha se shumica e këtyre pajisjeve ose janë të prodhuara në Iran, ose të importuara nga Kina ose Rusia, raporton agjencia “Reuters”.
Irani është i shqetësuar për infiltrim nga agjentët izraelitë, përfshirë iranianët që mund të paguhen nga Izraeli dhe se një hetim tërësor i personelit tashmë ka nisur, duke vënë në shënjestër anëtarë të rangut të mesëm dhe të lartë të Rojave Revolucionare, shtoi zyrtari iranian, i cili refuzoi që të identifikohej për shkak të ndjeshmërisë së çështjes.
“Këtu përfshihet hetimi i llogarive të tyre bankare në Iran dhe jashtë si dhe historia e udhëtimit e tyre dhe e familjeve të tyre” – tha më tej zyrtari i sigurisë.
Ministria e Jashtme, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Mbrojtjes e Iranit nuk ishin menjëherë të qasshme për t’iu përgjigjur komenteve që zyrtari i sigurisë i bëri për agjencinë “Reuters”.
Në një sulm të bashkërenduar, pejxherët shpërthyen të martën në disa bastione të Hezbollahut. Të mërkurën, qindra radio-lidhje që përdoreshin nga ky grup gjithashtu shpërthyen. Nga këto sulme u vranë 39 njerëz, ndërsa mbi 3 mijë të tjerë u lënduan.
Libani dhe Hezbollahu kanë thënë se prapa sulmeve qëndron Izraeli, i cili as nuk e ka mohuar, as nuk e ka konfirmuar përfshirjen.
Zyrtari i sigurisë refuzoi që të jepte hollësi për atë se si Rojat Revolucionare, që kanë 19 mijë pjesëtarë, janë duke komunikuar. “Tani për tani, ne jemi duke përdorur enkriptim nga fundi në fund në sistemet e porosive” – tha ai.
Sipas zyrtarit të njëjtë, ka shqetësim të gjerë në mesin e udhëheqësisë së Iranit. Zyrtarë të Rojave Revolucionare e kanë kontaktuar Hezbollahun për vlerësime teknike dhe disa shembuj të pajisjeve të shpërthyera janë dërguar në Teheran për t’u ekzaminuar nga ekspertë iranianë.
Një zyrtar tjetër iranian tha se shqetësimi kryesor i Iranit është mbrojtja e objekteve bërthamore dhe raketore të vendit, sidomos ato që ndodhen nën tokë.
“Por nga viti i kaluar, masat e sigurisë në ato qendra janë shtuar në masë domethënëse” – tha ai, si referencë ndaj masave të shtuara pas asaj që autoritetet iraniane kishin thënë se ishte përpjekje e Izraelit për ta sabotuar programin raketor të Iranit më 2023. Izraeli nuk e ka komentuar asnjëherë këtë çështje./Nacionale