Rizgjedhja e Macronit mund të zvogëlojë ndikimin e Gjermanisë në Evropë - NACIONALE

Rizgjedhja e Macronit mund të zvogëlojë ndikimin e Gjermanisë në Evropë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Rizgjedhja e presidentit francez Emmanuel Macron ka forcuar vizionin e tij për një Evropë sovrane dhe gjithashtu mund të zvogëlojë potencialin e Gjermanisë për lidership politik brenda BE-së, shkruan Euractiv.

Ndërsa rezultati i zgjedhjeve presidenciale franceze u prit me lehtësim në shumë vende në BE, rizgjedhja e Macron nënvizon gjithashtu rolin e fortë udhëheqës të Francës.

"Unë mendoj se Macron tani është shfaqur si zëri kryesor, zëri legjitim i Evropës, edhe pse rezultati ishte relativisht i ngushtë," ka thënë për Euractiv, Henning Vöpel, drejtor në Qendrën për Politikat Evropiane (CEP) në Berlin.

Marrja e një roli më të fortë lidershipi në Evropë nga Franca ndihmohet nga disa faktorë, sipas Vöpel.

Në veçanti, qëndrimi hezitues i qeverisë gjermane për luftën e Rusisë në Ukrainë ka dobësuar ndjeshëm pozicionin e Gjermanisë në BE. Berlini jo vetëm që ka goditur frenat kur bëhet fjalë për sanksionet e BE-së, por refuzimi i saj për të furnizuar Ukrainën me armë të rënda, po ashtu ka zvogëluar potencialin e saj drejtues.

“Mendoj se Gjermania duhet të kënaqet tani duke luajtur, në rastin më të mirë, rolin dytësor, ndoshta edhe të tretë në Evropë. Dhe kjo, natyrisht, është pjesërisht për shkak të ngurrimit dhe hezitimit të kancelarit Olaf Scholz, "tha Vöpel.

Në të njëjtën kohë, lufta ka ekspozuar gjithashtu dobësitë e politikave të saj të dekadave të fundit, gjë që i intereson Rusisë.

Ndërsa Franca gjithmonë paralajmëroi kundër varësisë së tepërt ekonomike nga Rusia – veçanërisht në lidhje me ndërtimin e gazsjellësit të diskutueshëm Nord Stream 2 – politika e Gjermanisë ndaj Rusisë u oriantua në përpjekjen për ta afruar Rusinë me Perëndimin përmes një integrimi më të afërt ekonomik. Kjo qasje ka dështuar në masë të madhe, duke marrë parasysh luftën e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Në të njëjtën kohë, Gjermania është gjithashtu shumë më e izoluar se Franca në zona të tjera. Macron, për shembull, ka kërkuar një aleancë të ngushtë me homologun e tij italian, Mario Draghi, për reformimin e rregullave evropiane të borxhit.

“Veçanërisht përballë krizave aktuale, Macron do të përpiqet të punojë me Draghin për të nxitur rritjen e lirive financiare për të qenë në gjendje të përballojë investimet e nevojshme”, theksoi Vöpel.

Megjithëse Gjermania, në veçanti, ka hezituar të mbështesë reformën dhe lehtësimin e rregullave fiskale të BE-së, balanca e fuqisë në Evropë është zhvendosur drejt reformës së rregullave, shtoi ai.

Deputeti gjerman i SPD-së, Udo Bullmann thekson gjithashtu se tani është e nevojshme të forcohet sovraniteti evropian.

Ajo që nevojitet tani është “një politikë evropiane plot vetëbesim, por gjithashtu plot objektiva të qarta të paqeruajtjes, roli ndërkombëtar i Bashkimit Evropian dhe një model i ri ekonomik dhe zhvillimor përballë ndryshimeve klimatike”, tha Bullmann.

Ndërkohë, drejtori i CEP Paris, Marc Uzan shpreh besimin në aftësinë gjermane për të ndryshuar.

“Gjermania është në një pikë kthese dhe mendoj se Berlini do të përballojë sfidën,” thotë ai.

Sipas tij, edhe Franca mund të luajë një rol kyç për Gjermaninë në këtë përmbysje politike.

“Marcon mund të jetë ura për të ndihmuar Gjermaninë të ndryshojë modelin e saj të rritjes dhe ndoshta edhe modelin e saj gjeopolitik”, theksoi Uzan.

Lajme të ngjashme