Ringjallet diplomacia për Gazën, Egjipti e Katari përcjellin një përgjigje të Hamasit - NACIONALE

Ringjallet diplomacia për Gazën, Egjipti e Katari përcjellin një përgjigje të Hamasit

2 vjet më parë

nga Nasuf Abdyli

Shenja të aktivitetit të përtërirë u shfaqën të mërkurën në përpjekje për të arritur një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit e Hamasit në Rripin e Gazës, ndërsa forcat izraelite kryen sulme të reja në enklavën e shkatërruar.

Pas disa javëve me pak diplomaci publike, ndërmjetësit Egjipti dhe Katari përcollën një përgjigje të Hamasit për një propozim që do të përfshinte një lirim të pengjeve që po mbahen në Gaza dhe një armëpushim në enklavën palestineze, raporton agjencia “Reuters”.

Izraeli është duke e analizuar dokumentin, thuhet në një deklaratë nga zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, në emër të agjencisë së spiunimit, Moassad.

Egjipti, Katari dhe Shtetet e Bashkuara janë përpjekur me muaj që të sigurojnë një armëpushim dhe lirim të 120 pengjeve që ende mbeten në Gaza, por përpjekjet e tyre kanë dështuar në mënyrë të vazhdueshme.

Hamasi thotë se çfarëdo marrëveshjeje duhet t’i japë fund luftës dhe ta sjellë tërheqjen e plotë të trupave izraelite nga Gaza. Në anën tjetër, Izraeli thotë se do të pranojë vetëm pauza të përkohshme në luftime derisa Hamasi të çrrënjoset.

“Izraeli është duke e ekzaminuar përgjigjen dhe do t’u përgjigjet ndërmjetësve” – tha shërbimi Mossad në një deklaratë, pa dhënë hollësi të tjera.

Hamasi tha në një deklaratë se udhëheqësi i grupit, Ismail Haniyeh, kishte zhvilluar telefonata me ndërmjetësit nga Katari dhe Egjipti për idetë për të arritur një marrëveshje rreth përfundimit të luftës në Gaza si dhe kishte pasur komunikime me zyrtarë turq.

Gazeta amerikane, “The New York Times”, ka raportuar se gjeneralët e lartë të ushtrisë izraelite duan armëpushim në Gaza, edhe nëse kjo masë do ta mbante në pushtet Hamasin tash për tash, duke zgjeruar një mosmarrëveshje mes ushtrisë dhe Netanyahut, i cili e ka kundërshtuar armëpushimin që do ta mundësonte mbijetesën e Hamasit.

Komandantët besojnë se armëpushimi do të ishte mënyra më e mirë për ta siguruar lirimin e pengjeve të mbetura izraelite dhe ata mendojnë se forcat izraelite, të ballafaquara me mungesë municioni, kanë nevojë që të rigrupohen në rast se shpërthen një luftë me e gjerë me Hezbollahun e Libanit, thuhet në raportimin e të përditshmes së njohur amerikane, e cila citoi gjashtë zyrtarë dhe ish-zyrtarë izraelitë të sigurisë./Nacionale

Lajme të ngjashme