“Reuters”: Ukraina pritet të dorëzojë territore dhe armë sipas një plani të ShBA-së për paqe
Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë sinjal presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, se Ukraina duhet të pranojë një kornizë të draftuar nga Uashingtoni për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe e cila propozon që Kievi të dorëzojë territore dhe një pjesë të armëve, i thanë të mërkurën agjencisë “Reuters” dy burime të afërta me çështjen.
Burimet, të cilat kërkuan që të mos identifikoheshin për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, thanë se propozimi, mes tjerash, e përfshin zvogëlimin e forcave të armatosura të Ukrainës. Ato shtuan se Shtetet e Bashkuara duan që Ukraina t’i pranojë pikat kryesore.
Një plan i tillë do të paraqiste hap të konsiderueshëm prapa për Kievin, kur po ballafaqohet me fitore territoriale të forcave ruse në pjesën lindore të Ukrainës, ndërsa Zelensky po mundohet që të luftojë një skandal korrupsioni. Kuvendi i Ukrainës të mërkurën i shkarkoi ministrin e Energjisë dhe atë të Drejtësisë.
Një zyrtar i lartë ukrainas i tha më herët agjencisë “Reuters” se Kievi kishte pranuar “sinjale” për një varg propozimesh të ShBA-së për t’i dhënë fund luftës, të cilat Uashingtoni i kishte diskutuar me Rusinë. Burimi tha se Ukraina nuk kishte rol në përgatitjen e propozimeve.
Zelensky, i cili po zhvillon bisedime të mërkurën në Turqi me homologun turk, Rexhep Erdogan, pritet të takohet të enjten në Kiev me zyrtarë ushtarakë amerikanë.
Shenjat e një përpjekjeje të përtërirë të Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë fund luftës e nxitën rritjen më të madhe në disa muaj të çmimeve të letrave me vlerë të Qeverisë së Ukrainës.
Asnjë takim sy më sy nuk është mbajtur mes Kievit e Moskës që nga një takim që u mbajt në korrik në Stamboll, transmeton gazeta "Nacionale".
Përpjekjet për t’i ringjallur bisedimet për paqe duket se po fitojnë momentum, edhe pse Moska nuk ka shfaqur shenja të ndryshimit të kushteve të saj për përfundimin e luftës.
Presidenti rus, Vladimir Putin, për një kohë të gjatë ka kërkuar që Ukraina të heqë dorë nga planet për anëtarësim në NATO dhe t’i tërheqë trupat nga katër provincat për të cilat Moska pretendon se tashmë janë pjesë e Rusisë.
Moska nuk ka dhënë shenja se ka hequr dorë prej ndonjërës nga këto kërkesa, ndërsa Ukraina ka thënë se nuk do t’i pranojë ato.