“Reuters”: Trumpi shfaqi para homologut afrikan pamje të një shteti tjetër gjatë akuzave për gjenocid
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, shfaqi një fotografi të kapur nga një video e agjencisë së lajmeve “Reuters” në Republikën Demokratike të Kongos si pjesë e asaj që ai në mënyrë të rreme e paraqiti si dëshmi e vrasjes masive të jugafrikanëve të racës së bardhë.
“Këta të gjithë janë bujq të racës së bardhë që po varrosen” – tha Trumpi, duke mbajtur një artikull të shtypur në letër, ku ishte edhe fotografia, gjatë një takimi të tensionuar në Zyrën Ovale me presidentin e Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa, raporton agjencia “Reuters”.
Në të vërtetë, videoja, e publikuar nga agjencia “Reuters” më 3 shkurt dhe e vërtetuar më pas nga ekipi për kontrollimin e fakteve i kësaj agjencie, shfaq punëtorë humanitarë duke tërhequr qese trupash në qytetin e Kongos, Goma. Pamja ishte marrë nga videoja e agjencisë pas betejave vdekjeprurëse me rebelët e grupit M23, të cilët mbështeten nga Ruanda.
Shkrimi i paraqitur nga Trumpi para homologut jugafrikan gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë ishte publikuar nga revista konservative amerikane, “American Thinker”, për konfliktet dhe tensionet racore në Afrikën e Jugut dhe në Kongo.
Në shkrim nuk identifikohej fotografia, por përshkruhej vetëm si “marrje nga YouTube”, me një link që çon në një raportim lajmi me video për Kongon në faqen “YouTube”, ku i jepen kredi agjencisë “Reuters”.
Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj një kërkese për koment. Andrea Widburg, redaktore menaxhuese e revistës “American Thinker” dhe autore e shkrimit në fjalë, i tha agjencisë “Reuters” në një përgjigje se Trumpi e kishte “identifikuar gabimisht imazhin”.
Pamja që shihet në letrën e paraqitur nga Trumpi shfaq një varrim masiv pas një sulmi të rebelëve të grupit M23 në qytetin Goma. Ajo ishte incizuar nga gazetari i agjencisë “Reuters”, Djaffar Al Katanty.
“Atë ditë, ishte tepër vështirë që gazetarët të futeshin... M’u desh të negocioja drejtpërdrejt me grupin M23 dhe të bashkërendohesha me Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq për t’u lejuar që të incizoja. Vetëm Reuters-i e ka videon” – tha Al Katanty./Nacionale