"Reuters”: ShBA-ja po dërgon dronë vëzhgues mbi Gaza - NACIONALE

"Reuters”: ShBA-ja po dërgon dronë vëzhgues mbi Gaza

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara kanë dërguar dronë vëzhgues në qiellin e Gazës për t’i kërkuar lokacionet e pengjeve që po mbahen nga Hamasi, thanë të enjten dy zyrtarë amerikanë.

Dy zyrtarët, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se Shtetet e Bashkuara po përdorin dronë për grumbullimin e të dhënave të inteligjencës mbi Gaza për të asistuar rreth përpjekjeve për zbulimin e lokacioneve të pengjeve.

Njëri nga zyrtarët tha se Shtetet e Bashkuara janë duke kryer fluturime të dronëve mbi Gaza për më shumë se një javë, raporton agjencia “Reuters”.

Zyrtarët e ShBA-së kanë thënë se dhjetë amerikanë, që ende janë të zhdukur, mund të jenë në mesin e më shumë se 200 pengjeve që janë marrë nga Hamasi dhe besohet se po mbahen në rrjetin e gjerë të tuneleve të këtij grupi.

Forcat izraelite thanë të enjten në mbrëmje se e kishin rrethuar qytetin Gaza gjatë sulmit ndaj Hamasit, grup që rezistoi me taktikën “godit e ik” nga tunelet nëntokësore.

Hamasi nisi një sulm të befasishëm kundër Izraelit më 7 tetor, duke vrarë rreth 1.400 njerëz, kryesisht civilë, sipas zyrtarëve izraelitë, duke e shënuar ditën më vdekjeprurëse në historinë 75-vjeçare të shtetit.

Lajme të ngjashme