Blinkeni prapë në Izrael, pritet përkrahje më e rezervuar e përqendrim te civilët - NACIONALE

Blinkeni prapë në Izrael, pritet përkrahje më e rezervuar e përqendrim te civilët

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, arriti të premten në mëngjes në Izrael, ku pritet të zhvillojë bisedime me udhëheqës shtetërorë të këtij vendi në kohën e luftës kundër Hamasit.

Kjo është vizita e dytë e kryediplomatit amerikan në Izrael pas sulmit të Hamasit më 7 tetor. Vizita e tij kësaj radhe do të përqendrohet te masat për t’i minimizuar dëmet ndaj civilëve në Rripin e Gazës, raporton televizioni BBC.

Para nisjes për në Izrael, zyrtari i lartë amerikan tha se do të kërkojë “masa konkrete” nga Izraeli për t’u siguruar që dëmet ndaj civilëve të pakësohen, pasi presidenti Joe Biden gjithashtu kishte bërë thirrje për pauza humanitare në konflikt një ditë më parë.

Blinkeni do ta vizitojë edhe Jordaninë, ku pritet të bëjë përpjekje për ta shmangur zgjerimin e mëtejmë të konfliktit në Lindje të Mesme.

Të enjten në mbrëmje, ushtria izraelite tha se e kishte rrethuar tërësisht qytetin Gaza dhe se ishte duke u përfshirë në beteja sy më sy me luftëtarët e Hamasit.

Shtetet e Bashkuara kanë premtuar përkrahje të plotë për Izraelin dhe shtim të ndihmave ushtarake për këtë vend, por ka pasur edhe ndryshim të tonit rreth qasjes së tyre.

Shtëpia e Bardhë ka propozuar një varg pauzash të lokalizuara gjatë luftimeve për t’i mundësuar shpërndarjen e ndihmave ose evakuimin e civilëve.

Sidoqoftë, Shtetet e Bashkuara kanë theksuar se këto pauza nuk nënkuptojnë armëpushim, për të cilin beson se do të ishte në favor të Hamasit.

Lajme të ngjashme