“Reuters”: Bideni e ka ndryshuar dukshëm tonin për luftën Izrael - Hamas, çfarë qëndron prapa? - NACIONALE

“Reuters”: Bideni e ka ndryshuar dukshëm tonin për luftën Izrael - Hamas, çfarë qëndron prapa?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, dhe ekipi i tij e kanë ndryshuar dukshëm tonin e tyre për krizën Izrael – Hamas ditëve të fundit, duke lëvizur nga përkrahja e pakufizuar e Izraelit te theksimi i nevojës për t’i mbrojtur civilët palestinezë në Gaza para një ofensive tokësore izraelite në Gaza.

Reuters

Bideni nuk e ka ndryshuar besimin e tij themelor se Izraeli i ka të drejtën dhe përgjegjësinë për ta mbrojtur veten pas sulmit të 7 tetorit nga militantët e Hamasit, që la të vrarë 1.400 persona në jug të Izraelit, thonë ndihmësit.

Megjithatë, rritja e shpejtë e numrit të të vdekurve palestinezë, vështirësia për lirimin e pengjeve që po mbahen nga Hamasi dhe protestat gjithnjë më të zëshme nga vendet arabe, aleatët evropianë e disa amerikanë në vendin e tij e kanë shtyrë ekipin e Bidenit që ta përkrahë pauzën humanitare ndaj sulmeve të Izraelit dhe të përqendrohet në dërgimin e ndihmave te palestinezët, thonë burime të shumta brenda dhe jashtë administratës amerikane, raporton agjencia “Reuters”.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se ndryshimi i tonit është i mbështetur në “faktet në terren” në Gaza, ku kriza humanitare po përkeqësohet dhe në “bisedat e ekipit të Bidenit me shtetet nëpër botë”.

Prapa skenës ka pasur përplasje mes Bidenit dhe këshilltarëve të tij për porosinë e ShBA-së, tha një ish-zyrtar që ka kontakte me zyrtarët e tanishëm.

Kemi parë njëfarë evolucioni nga njëfarë përqafimi i plotë e i pakusht për Izraelin te pak më shumë nuancë”- tha ish-zyrtari amerikan.

Administrata amerikane nuk kishte pritur që numri i viktimave palestineze të rritej aq shpejt sa është rritur – tani më shumë se 7 mijë të vdekur në Gaza, sipas zyrtarëve lokalë – ose që situata humanitare të përkeqësohej kaq shpejt, tha një zyrtar amerikan në kushte anonimiteti.

“Mendoj se korniza qartazi ka ndryshuar, pa befasi, si reagim ndaj ndryshimit të rrethanave dhe nga ajo që duket se është katastrofë edhe më e madhe që po shpaloset, nëse izraelitët hyjnë në Gaza me një fushatë të madhe”- tha Aaron David Miller, ekspert i Lindjes së Mesme në organizatën “Carnegie Endowment for International Peace”.

Bideni ka ndryshuar përballë zgjedhjeve sfiduese të vitit 2024, kërcënimeve nga disa përkrahës të mundshëm se do t’i tërheqin votat për shkak të mungesës së përkrahjes së tij për palestinezët dhe një paralajmërimi nga ish-presidenti Barack Obama se veprimet e Izraelit mund ta arrijnë të kundërtën e qëllimit të tyre.

Zyrtarët izraelitë dhe përkrahësit e tyre në ShBA në mënyrë private kanë paraqitur shqetësim para agjencisë “Reuters” se sa më shumë kohë që kalon nga mizoritë e kryera nga Hamasi më 7 tetor, aq më shumë fokusi i botës do të jetë në vdekjen dhe shkatërrimin nga sulmi izraelit në Gaza.

Ndihmësit e Bidenit po u bëjnë thirrje homologëve të tyre izraelitë që të shfrytëzojnë më shumë kohë për të menduar me kujdes rreth strategjisë së tyre për dalje para një ofensive të plotë tokësore, tha një burim amerikan.

Pauza humanitare

Ndryshimi më i shpejtë në politikën e ShBA-së ka ndodhur këtë javë, për të mbështetur një ndërprerje të sulmeve izraelite ndaj Gazës për t’i mundësuar hyrjen e ndihmave dhe largimin e njerëzve.

I pyetur më 23 tetor rreth kërkesave ndërkombëtare për pauzë humanitare, zëdhënësi për siguri kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby, tha se Shtetet e Bashkuara dëshirojnë që të sigurohen se “Izraeli i ka mjetet që i nevojiten për ta mbrojtur veten dhe për t’iu vënë pas Hamasit dhe që asistenca humanitare të vazhdojë të rrjedhë”.

Një ditë më vonë, Kirby dhe Blinkeni e mbrojtën njërën publikisht. Ndryshimi erdhi pas një apeli të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, që civilët të mbrohen dhe pas apeleve gjithnjë më dëshpëruese nga organizatat e OKB-së që ndihmat të lejohen.

Shtetet e Bashkuara e rishikuan rezolutën e tyre në OKB nga fokusi tek e drejta e Izraelit për ta mbrojtur veten, për t’i përfshirë thirrjet për të gjitha masat, në mënyrë specifike për t’i përfshirë pauzat humanitare, për ta lejuar qasjen e papenguar humanitare në ndihma.

Komentet e bëra nga Bideni të mërkurën janë në kontrast me ato të 7 tetorit dhe paraqesin drejtim të ri. “Izraeli duhet të bëjë gjithçka në fuqinë e tij, aq e vështirë sa është, për t’i mbrojtur civilët e pafajshëm”- tha Bideni në një konferencë për gazetarë.

Ai dha edhe një kritikë të rrallë për “ardhësit ekstremistë” të Izraelit në Bregun Perëndimor, duke i akuzuar për hedhje të benzinës në zjarr, dhe bëri thirrje për “përpjekje të përqendruar”, porsa të përfundojë kriza, për të punuar drejt një akordi sipas të cilit Izraeli dhe një shtet i ri palestinez do të ekzistonin pranë njëri-tjetrit në paqe.

Megjithatë, Bideni shprehu edhe skepticizëm për vlerësimet palestineze rreth numrit të të vdekurve dhe përkrahje të vazhdueshme e të vendosur për Izraelin. Ai tha në një konferencë për gazetarë se “nuk kishte besim” në numrat që palestinezët po i përdornin rreth të vdekurve në Gaza.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme