Pajtohet BE-ja, pritet të kërkojë korridore e pauza humanitare në Gaza
Bashkimi Evropian do të bëjë thirrje për “korridore e pauza humanitare” të luftimeve në Gaza për ta lejuar furnizimin e palestinezëve me ushqim, ujë e furnizime mjekësore, sipas draft-tekstit më të ri të BE-së.
Një deklaratë zyrtare do të publikohet pas samitit të udhëheqësve të 27 vendeve anëtare të bllokut në Bruksel të enjten, raporton gazeta “The Guardian”.
Ajo vjen pas mosmarrëveshjeve që kanë zgjatur disa ditë për gjuhën e deklaratës. Një diplomat ka thënë se ishte një javë e “diskutimeve të vështira” për një situatë për të cilën të gjithë pajtohen se është “e tmerrshme”.
Merret vesh se tri shtete të BE-së, përfshirë Gjermaninë, që e favorizonin shprehjen “dritare”, vlerësonin se një draft i mëparshëm, që e përfshinte shprehjen “pauzë humanitare”, linte të kuptohej se kërkohet armëpushim i përhershëm dhe kjo do ta minonte të drejtën e Izraelit për ta mbrojtur veten.
Në tekstin që udhëheqësve do t’u kërkohet ta nënshkruajnë të enjten në mbrëmje thuhet: “Këshilli Evropian e shpreh shqetësimin e vet më të thellë për situatën humanitare që po përkeqësohet në Gaza dhe bën thirrje për qasje humanitare të shpejtë, të sigurt dhe të papenguar dhe arritje të ndihmave te ata që kanë nevojë përmes të gjitha masave të nevojshme, përfshirë korridoret dhe pauzat humanitare.”
Përçarja e pasqyron njërin nga episodet më të dëmshme për BE-në në shumë vjet me një përplasje të hershme mes presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për mungesën e theksit te shqetësimi humanitar në deklaratat e mëhershme për konfliktin.
Një burim tha se, në kundërshtim me përshtypjet e dhëna nga disa, ekziston “një varg pikëpamjesh për krizën” dhe se kishte “peshëngritje të rëndë” në ditët e fundit për të arritur pajtueshmëri për tekstin e deklaratës, duke e shmangur shndërrimin e samitit në “mbledhje draftimi”.
Një diplomat pranoi se situata ishte “shumë më e vështirë” se ajo për Ukrainën, por theksoi se ekziston “pikëpamje e fuqishme, e përbashkët për rëndësinë e qasjes humanitare” në mesin e të gjitha shteteve, përfshirë ato që kishin mospajtime për fjalën “pauzë”.
