“Reuters”: Rojës Bregdetare të ShBA-së tash për tash i mungojnë forcat për ta kapur anijen venezuelase
Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara është në pritje që të arrijnë forca shtesë para se të përpiqet potencialisht të lëshohet në një anije transportuese të naftës të lidhur me Venezuelën dhe ta sekuestrojë atë, pasi ka qenë duke e ndjekur nga e diela, i thanë agjencisë së lajmeve “Reuters” një zyrtar amerikan dhe një burim i afërt me çështjen.
Anija, të cilën grupet detare e kanë identifikuar si “Bella 1”, ka refuzuar që ta lejojë Rojën Bregdetare të hipë në të. Kjo do të thotë se detyra me gjasë do t’i ngarkohet njërit prej vetëm dy ekipeve të specialistëve – të njohur si Ekipet e Reagimit për Sigurinë Detare – të culët mund të hipin në anije në rrethana të tilla, përfshirë lëshimin nga helikopterët.
Ndjekja disaditore e vë në pah mospërputhjen e dëshirës së administratës së presidentit Donald Trump për të sekuestruar anije të naftës afër Venezuelës dhe burimeve të kufizuara të agjencisë që po i kryen kryesisht këto operacione, Roja Bregdetare.
Ndryshe nga Marina e ShBA-së, Roja Bregdetare mund të kryejë aksione për zbatimin e ligjit, përfshirë hipjen në anije dhe sekuestrimin e atyre që janë nën sanksione amerikane.
Trumpi më herët këtë muaj urdhëroi një “bllokadë” ndaj të gjitha anijeve të sanksionuara të naftës që hyjnë dhe largohen nga Venezuela, në lëvizjen më të re të Uashingtonit për ta shtuar presionin ndaj presidentit venezuelas, Nicolas Maduro.
Roja Bregdetare e ShBA-së në javët e fundit ka sekuestruar dy anije transportuese të naftës afër Venezuelës. Pas sekuestrimit të parë, më 10 dhjetor, kryeprokurorja e Shteteve të Bashkuara, Pam Bondi, publikoi një video 45-sekondëshe ku shfaqeshin dy helikopterë duke iu afruar një anije dhe persona të armatosur duke u lëshuar në të.
Në një postim në rrjete sociale të shtunën nga Departamenti i Sigurisë së Atdheut, i cili e mbikëqyr Rojën Bregdetare, shihen ata që dukeshin si oficerë të Rojës Bregdetare në aeroplanmbajtësen “Gerald Ford” duke u bërë gati për t’u nisur e për ta sekuestruar anijen transportuese “Centuries”, e dyta në të cilën kanë hipur forcat amerikane.
Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, tha se zyrtarët e Rojës Bregdetare në aeroplanmbajtësen “Gerald Ford” janë pjesë e Ekipit Reagues për Sigurinë Detare dhe në atë kohë ndodheshin shumë larg anijes “Bella 1” për ta kryer operacionin e lëshimit mbi të.
“Ka ekipe të kufizuara që janë të trajnuara për këto lloje lëshimesh” – tha Corey Ranslem, shef ekzekutiv i grupit për siguri detare “Dryad Global”, në të kaluarën pjesë e Rojës Bregdetare.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment dhe agjencia “Reuters” nuk mundi të përcaktonte se cilat arsye kanë ndikuar që Roja Bregdetare të mos e sekuestrojë ende këtë anije./Nacionale