“Reuters”: Qeveria e Erdoganit po kërkon mënyra për ta frenuar Gjykatën Kushtetuese
Qeveria e presidentit turk, Rexhep Erdogan, është duke kërkuar mënyra për ta kufizuar ndikimin e Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, e nxitur nga vendimet e saj për të liruar një deputet opozitar të burgosur, sipas një zyrtari të lartë dhe dy ligjvënësve në aleancën qeveritare.
Gjykata më e lartë e vendit kishte marrë vendim në tetor se burgosja e vazhdueshme e deputetit Can Atalay e shkelte të drejtën e tij për ta mbajtur pozitën, pasi ishte zgjedhur në Kuvend nga qelia e burgut në zgjedhjet e përgjithshme të majit, raporton agjencia “Reuters”.
Më 2022, Atalay ishte dënuar me 18 vite burgim për përpjekje për ta rrëzuar qeverinë e Erdoganit përmes organizimit të protestave kombëtare më 2013. Avokati 46-vjeçar i mohon akuzat.
Ai apeloi në Gjykatën Kushtetuese duke përdorur një “aplikim individual” – mekanizëm i formuar nga një amendament kushtetues i vitit 2010 që u lejon qytetarëve që të bëjnë apele drejtpërdrejt në gjykatën më të lartë rreth çështjeve të të drejtave.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për lirimin e këtij deputeti kishte nxitur krizë në sistemin e drejtësisë më 8 nëntor, kur Gjykata e Kasacionit, gjykata më e lartë e apelit në vend, tha se nuk do ta njihte vendimin dhe paraqiti padi kundër gjykatësve që e kishin lëshuar atë.
Tribunali i apelit e akuzoi Gjykatën Kushtetuese për tejkalim të juridiksionit të saj duke vepruar si “trup i super-apelit”.
Mehmet Ucum, kryekëshilltar i Erdoganit dhe nënkryetar i Këshillit Presidencial për Politika Ligjore, në nëntor e mbrojti lëvizjen e Gjykatës së Kasacionit dhe e kritikoi Gjykatën Kushtetuese për marrje të “vendimeve antikushtetuese”.
Sipas zyrtarit të lartë qeveritar dhe dy ligjvënësve nga partia në pushtet, Erdogani dhe aleatët e tij nuk janë rehat për ndikimin e ushtruar nga gjykata, sidomos përmes përdorimit të gjerë të “aplikimeve individuale” nga ana e saj.
Zyra e Erdoganit dhe Ministria e Drejtësisë nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.
Zyrtari i lartë turk, i cili, njësoj si dy burimet e tjera, kërkoi që të mbetej anonim për të folur lirisht, tha se gjykata kishte formuar “një sferë unike të pushtetit” përmes këtyre vendimeve.
Në nëntor, Erdogani tha se ai do ta luante “gjyqtarin” në krizën e gjyqësorit dhe se legjislacioni mund të shfrytëzohet për ta zgjidhur përplasjen mes Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Kasacionit.
Zyrtari i lartë tha se qeveria është duke shqyrtuar opsione, përfshirë themelimin e një “Gjykate Turke të të Drejtave të Njeriut”, e cila do të merrej ndarazi me aplikimet individuale.