“Reuters”: Putini është i hapur për ta diskutuar me Trumpin armëpushimin në Ukrainë - NACIONALE

“Reuters”: Putini është i hapur për ta diskutuar me Trumpin armëpushimin në Ukrainë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidenti rus, Vladimir Putin, është i hapur për të diskutuar një marrëveshje armëpushimi në Ukrainë me presidentin amerikan në ardhje, Donald Trump, por përjashton çfarëdo koncesioni të madh territorial dhe këmbëngul që Kievi të heqë dorë nga ambicia për t’u anëtarësuar në NATO, i kanë thënë agjencisë së lajmeve “Reuters” pesë burime me njohuri rreth qëndrimeve të Kremlinit.

Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, i cili është zotuar se do t’i japë fund shpejt konfliktit, do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë në kohën e një ngritjeje ruse. Moska ka nën kontroll një pjesë të territorit ukrainas përafërsisht sa madhësia e shtetit amerikan, Virgjinia, dhe është duke avancuar me ritmin më të shpejtë që nga ditët e hershme të pushtimit, raporton agjencia “Reuters”, përcjell gazeta "Nacionale".

Në raportimin e parë të hollësishëm për atë se çfarë do të pranonte Putini në ndonjë marrëveshje të ndërmjetësuar nga Trumpi, pesë zyrtarët dhe ish-zyrtarët rusë thanë se Kremlini do të mund të pajtohej gjerësisht për ta ngrirë konfliktin përgjatë vijave të frontit.

Mund të ketë hapësirë për bisedime rreth gdhendjes së saktë të katër rajoneve lindore, Donetsk, Luhansk, Zaporizhia dhe Kherson, sipas tre prej personave. Të gjithë kërkuan anonimitet për të diskutuar rreth çështjeve të ndjeshme.

Përderisa Moska pretendon se i ka aneksuar katër rajonet si të plota në territorin e Rusisë dhe se ato janë të mbrojtura me ombrellën bërthamore të vendit, forcat ruse në terren kontrollojnë 70 deri në 80 për qind të territorit, ndërsa rreth 26 mijë kilometra katrorë ende mbahen nga trupat ukrainase, sipas të dhënave me burim të hapur në vijën e frontit.

Rusia mund të jetë gjithashtu e hapur për t’u tërhequr nga pjesë relativisht të vogla të territorit që e ka nën kontroll në rajonet Kharkiv dhe Mykolaiv, në veri dhe në jug të Ukrainës, thanë dy prej zyrtarëve.

Putini tha këtë muaj se çfarëdo marrëveshje armëpushimi duhet t’i pasqyrojë “realitetet” në terren, por ai shprehu frikë për një armëpushim të shkurtër që vetëm do ta lejonte Perëndimin që ta riarmatoste Ukrainën.

“Nëse nuk ka neutralitet, është vështirë që të imagjinohet ekzistenca e ndonjë marrëdhënie e fqinjësisë së mirë mes Rusisë dhe Ukrainës. Pse? Sepse kjo do të nënkuptonte që Ukraina do të përdoret vazhdimisht si vegël në duar të gabuara dhe në dëm të interesave të Federatës Ruse” – tha Putini më 7 nëntor.

Dy prej burimeve thanë se vendimi i presidentit amerikan në largim, Joe Biden, për ta lejuar Ukrainën që të hedhë raketa amerikane ATACMS thellë në Rusi mund të ndërlikojë dhe të shtyjë një marrëveshje të mundshme dhe mund t’i ashpërsojë kërkesat e Moskës, pasi figurat me qëndrime të rrepta po bëjnë shtytje për të kapur një pjesë më të madhe të Ukrainës. Të martën, Kievi i përdori këto raketa për të sulmuar territor rus për herë të parë, sipas Moskës, që këtë veprim e cilësoi eskalim të madh.

Dy prej burimeve thanë se nëse nuk arrihet marrëveshje për armëpushim, atëherë Rusia do t’i vazhdojë luftimet.

Ministria e Jashtme e Ukrainës nuk pranoi menjëherë që t’i përgjigjej një kërkese për koment për këtë artikull./Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme