“Reuters”: Putini dyshon në fuqinë e ultimatumit të Trumpit për t’i dhënë fund luftës
Presidenti rus, Vladimir Putin, nuk pritet që të dorëzohet para një ultimatumi me sanksione që skadon këtë të premte nga presidenti homologu amerikan, Donald Trump, dhe vazhdon ta mbajë qëllimin që t’i kapë plotësisht katër rajonet lindore të Ukrainës, i thanë agjencisë “Reuters” disa burime të afërta me Kremlinin.
Trumpi ka kërcënuar se do ta godasë Rusinë me sanksione të reja dhe se do t’u vendosë taksë prej 100 për qind shteteve që blejnë naftë prej saj – prej të cilave më të mëdhatë janë Kina dhe India – nëse Putini nuk pajtohet për armëpushim në luftën kundër Ukrainës, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Vendosmëria e Putinit që ta vazhdojë qasjen e vet është e nxitur nga besimi i tij se Rusia do të fitojë dhe nga skepticizmi se sanksionet e reja amerikane do të kenë shumë ndikim pas valëve të vazhdueshme të ndëshkimeve ekonomike gjatë luftës, sipas tri burimeve të afërta me diskutimet në Kremlin.
Presidenti rus nuk dëshiron që ta zemërojë Trumpin dhe kupton që mund të jetë duke humbur një mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve me Uashingtonin dhe Perëndimin, por qëllimet e tij në luftë gëzojnë përparësi, thanë dy prej burimeve.
Qëllimi i Putinit është që t’i marrë plotësisht nën kontroll rajonet ukrainase Donetsk, Luhansk, Zaporizhia dhe Kherson, të cilat Rusia i ka shpallur si të vetat, dhe pastaj të bisedojë për një marrëveshje të paqes, tha njëri nga burimet.
“Nëse Putini do të ishte në gjendje që të pushtojë këto katër rajone, të cilat ai i ka shpallur të Rusisë, ai do të mund të pretendonte se lufta e tij në Ukrainë i ka arritur objektivat e tij” – tha James Rodgers, autor i librit që ende nuk është botuar, “Rikthimi i Rusisë”.
Procesi i tanishëm i bisedimeve, në të cilin negociatorët rus dhe ukrainas janë takuar tri herë nga maji, ishte një përpjekje e Moskës për ta bindur Trumpin se Putini nuk po e refuzonte paqen, tha burimi i parë, duke shtuar se bisedimeve u mungonte substanca e vërtetë me përjashtim të diskutimeve për shkëmbimet e njerëzve.
Burimi i parë tha se Putini është privatisht i shqetësuar për përkeqësimin e lidhjeve me ShBA-në që ka ndodhur rishtazi. Megjithatë, presidenti rus ende shpreson që Rusia përsëri mund të ndërtojë miqësi me Uashingtonin dhe të bëjë tregti me Perëndimin, dhe “ai është i brengosur” për irritimin e Trumpit, tha ky burim./Nacionale
Megjithatë, kur forcat ruse po avancojnë në fushën e betejës dhe kur Ukraina është nën trysni të madhe ushtarake, Putini nuk beson se tani është koha për t’i dhënë fund luftës, tha burimi, duke shtuar se as populli rus, as ushtria ruse nuk do ta kuptonin, nëse ai do të ndalej tani.
Kreu i Kremlinit e vlerëson marrëdhënien me Trumpin dhe nuk dëshiron që ta zemërojë atë. Megjithatë, “ai thjesht ka një prioritet kryesor – Putini nuk mund ta përballojë përfundimin e luftës thjesht pse Trumpi e dëshiron këtë”, tha burimi i dytë rus.
Një person i tretë, i afërt me të menduarit e Kremlinit, gjithashtu tha se Rusia dëshiron që t’i marrë katër rajonet ukrainase dhe nuk e sheh logjikën që të ndalet në kohën e fitoreve në fushën e betejës gjatë ofensivës verore të Rusisë.
Ukraina ka pësuar disa nga humbjet më të mëdha territoriale të vitit 2025 në tre muajt e fundit, përfshirë 502 kilometra katrorë në korrik, sipas Grupit “Zogu i Zi”, qendër e analizave ushtarake me seli në Finlandë.
Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ruse i ka thënë Putinit se fronti ukrainas do të shkërmoqet brenda dy ose tre muajve, tha burimi i parë./Nacionale